Carl Bildt: Propozimi evropian, marrëveshje e drejtë për Kosovën dhe Serbinë.
Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, po e konsideron si një “ofertë të drejtë”.
Bildt, e ka komentuar postimin e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, i cili kishte cituar qëndrimin e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke u shprehur “nënshkruani marrëveshjen ose përballuni me pasoja”.
Sipas Bildt, marrëveshja e propozuar nga BE-ja do t’i lejonte që të dy vendet të ecnin përpara.
Ai thotë se nuk ka asnjë rrugë tjetër realiste përpara për asnjërën nga dy vendet.
“Është një marrëveshje e drejtë për Kosovën dhe Serbinë që është në tavolinë tani. Kjo do t’i lejonte dy vendet të ecnin përpara, të përmbushin kërkesat e rëndësishme themelore të të dyve, por të shmangen nga kërkesat e tyre maksimale përkatëse. Thjesht nuk ka asnjë rrugë tjetër realiste përpara për asnjërin nga dy vendet”, shkroi ai.
Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.
Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.
Edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuqiqi ka dhënë sinjale se vendi i tij do ta pranojë marrëveshjen evropiane.