Ish kryediplomatja Haradinaj-Stublla: Qeveria me vetëdije po lejon që të kushtëzohet liberalizimi i vizave me dialogun

19:59 | 13 October 2022

Haradinaj-Stublla: Qeveria me vetëdije po lejon që të kushtëzohet liberalizimi i vizave me dialogun.

Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave tregon detajisht se marrëdhënia mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës është jofunksionale.

Ajo ka thënë se është e pakuptueshme që institucionet shtetërore ringritën shpresat e qytetarëve dhe aktualizuan çështjen e liberalizimit të vizave pa qenë të informuar se ka ende çështje teknike të pasqaruara.

“Për mua sot mbetet e pakuptueshme se si institucionet aktuale të Kosovës ringritën shpresat e qytetarëve dhe aktualizuan çështjen e liberalizimit, pa qenë të mirëinformuar se ende ka çështje ‘teknike’ të pasqaruara bilaterale me disa shtete anëtare”. shkroi ajo në facebook.

Haradinaj-Stublla më tej ka thënë se në rrethana të tilla Kosova duhet të rikthejë me urgjencë Ministrinë e Integrimit Evropian dhe të punojë intenzivisht në agjendë serioze për përparimin e Kosovës në rrugën eurointegruese.

“Gabimi kryesor strategjik qëndron në faktin se portfolion e integrimit evropian e menaxhon i njëjti Zëvendës-Kryeministër i cili është përgjegjës për dialogun ’teknik’ me Serbinë. Andaj kjo Qeveri me vetëdije po lejon që të kushtëzohet njëri proces me tjetrin!”, shkroi ajo.

Postimi i plotë:

KOSOVA DUHET TË RIKTHEJË MINISTRINË E INTEGRIMIT EVROPIAN!

Procesi i liberalizimit e definon saktë marrëdhënien jofunksionale të Kosovës me BE-në: shpërfillëse, të pabarabartë, dhe politike. Ndonëse me shumëfish më shumë kritere se vendet tjera rreth nesh, të vendosura në një marrëdhënie të qartë kontraktuale me BE-në, çështje kryesisht të natyrës teknike jo rrallë janë keqpërdorur nga BE për të kushtëzuar procese tërësisht politike në Kosovë.

Fakti se çështja e politikës së jashtme të BE-së mbetet përgjegjësi ekskluzive e shteteve anëtare, shumë shpesh në rastin e Kosovës është përdorur si mjet për të mbipremtuar (si psh liberalizimi) ndërsa pas dështimit nga ana e tyre, është përdorur si arsyetim për t’u shfajësuar se kinse secila prej shteteve anëtare kanë qëndrime të ndryshme. Prandaj, e them me bindje të plotë se mangësitë strukturore të BE-së nuk i pasqyron asgjë më qartë sesa procesi i tejzgjatur i liberalizimit të vizave për Kosovën, proces i cili ia ka humbur kredibilitetin BE-së si tërësi politike së pari për të nderuar obligimet e tyre kontraktuale, për të ofruar një vizion proevropian për shtetet aspiruese, dhe së treti për të mbajtur premtimet e tyre politike.

Për mua sot mbetet e pakuptueshme se si institucionet aktuale të Kosovës ringritën shpresat e qytetarëve dhe aktualizuan çështjen e liberalizimit, pa qenë të mirëinformuar se ende ka çështje ‘teknike’ të pasqaruara bilaterale me disa shtete anëtare!

Gabimi kryesor strategjik qëndron në faktin se portfolion e integrimit evropian e menaxhon i njejti Zëvendës-Kryeministër i cili është përgjegjës për dialogun ’teknik’ me Serbinë. Andaj kjo Qeveri me vetëdije po lejon që të kushtëzohet njëri proces me tjetrin!

Kosova duhet të rikthejë me urgjencë Ministrinë e Integrimit Evropian, dhe të punojë intenzivisht në agjendë serioze për avancimin e rrugës eurointegruese, një rrugë e pa-alternativë për Republikën e Kosovës.

Komento: