
Hoti thotë se Qeveria nuk po ndihmon qytetarët, përmend akcizën, TVSH-në, dhe pagat.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk po ndërmerr hapa për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve pas rritjes së çmimeve.
Ai ka thënë se ka rritje të dukshme të çmimeve prej 14 për qind në qershorin e këtij viti në krahasim me vitin e kaluar. Sipas Hotit, rritja më e madhe ishte veçanërisht e theksuar te produktet kryesore.
Hoti ka potencuar faktin se Qeveria nuk po e hek akcizën e naftës e nuk ka rritur pagat në sektorin publik, kështu duke dështuar që t’u dalë në krahë qytetarëve të Kosovës.
“Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët. Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8 për qind, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale“, ka shkruar ndër të tjera Hoti.
Shkrimi i plotë:
Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14 për qind krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe:
Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8 për qind),
Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3 për qind),
Gazi (39,3 për qind),
Buka dhe drithërat (27,7 për qind),
Qumështi, djathi dhe vezët (22,3 për qind),
Mishi (19,6 për qind),
Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0 për qind),
Prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8 për qind),
Perimet (6,8 për qind),
Lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6 për qind),
Sot, 12 korrik 2022, çmimi i naftës është caktuar 1.75 euro për litër. Për çdo litër të naftës, qeveria mbledh 61 centë.
Sikur Qeveria të pezullonte akcizën në naftë, sot çmimi i naftës do të bëhej 1.39 euro për litër.
Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët.
Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale.