Ish-kryeministri Hoti: Kurti totalisht i papërgatitur për dialogun me Serbinë

09:57 | 21 Shkurt 2022

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria është e papërgatitur për dialogun me Serbinë.

Ai thotë se transparencë zero sa i përket dialogut.

“Gjatë mandatit të kësaj qeverie mendoj që kemi pasur mungesë të qartësisë sa i përket qasjes në dialog. Unë e kam të qartë që dinamika e procesit të dialogut nuk përcaktohet vetëm nga pala kosovare por edhe nga partner tanë ndërkombëtar. Ajo çka kërkohet nga Kosova është që të paraqitet gjithmonë në tryezë të dialogut me koncept të qartë se çfarë po dialogohet. Besoj që në dy tri vjetët e fundit në Kosovë është ndërtuar një konsensus sa i përket dialogut se dialogu zhvillohet vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve dhe një listë e parimeve që duhet ti përmbahet ky proces”, ka thënë Hoti për Ekonomia Online.

Hoti thotë se në dialog nuk po diskutohet për integritetin territorial e as për rendin kushtetues, teksa shprehet se këto kanë qenë prioritete gjatë qeverisjes së tij.

Madje për këto, ai thotë se ka pasur edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Nuk diskutohet për integritetin territorial as për rendin kushtetues të vendit dhe këto parime në qeverisjen time kanë pasur mbështetjen edhe të miqve tanë ndërkombëtar. Gjatë kësaj qeverisje kam përshtypjen që ka dalë nga binarët procesi i dialogut me disa ide të propozuara nga pala kosovare që nuk janë pragmatike dhe nuk qojnë në marrëveshjen përfundimtare dhe nuk është duke u diskutuar fare dhe ka transparencë zero. Edhe në këtë fushë janë totalisht të papërgatitur”, u shpreh Hoti.

Komento: