Ish kryeministri Hoti: Qeverisja aktuale e kryeqytetit e ka prioritet ngrohjen qendrore

20:40 | 18 October 2022

Hoti: Qeverisja aktuale e kryeqytetit e ka prioritet ngrohjen qendrore.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherish deputet i LDK’së, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi Termokosi publikoi çmimet për konsumatorët për këtë sezon.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti thotë se projekti për zgjerim i rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes kogjenerimit, që u bë në qeverisjen e Isa Mustafës mbetet një ndër projektet më të rëndësishme të kryeqytetit.

“Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes kogjenerimit, i nisur në qeverisjen e Prishtinës nga Isa Mustafa me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes KfW, mbetet ndër projektet më të rëndësishme të kryeqytetit.

Më vjen mirë që qeverisja aktuale e kryeqytetit e ka prioritet ngrohjen qendrore. Duhet që sa më shpejt të lidhen në sistem të ngrohjes blloqet e reja të banimit në Arbëri, tek rruga B, në Lagjen e Spitalit e të Muhaxherëve, në Matiqan, në Kalabri dhe lagje të tjera’’, shkruajti Hoti.

Po ashtu ai ka thënë se në këtë kohë krize është e nevojshme të gjinden edhe burime të tjera të ngrohjes gjatë dimrit.

“Në këtë kohë të krizës energjetike është tepër e rëndësishme të gjenden burime tjera të ngrohjes gjatë dimrit. Pres që projekte të ngrohjes të zhvillohen së shpejti së paku në qendrat e mëdha urbane të Kosovës”, tha Hoti.

Komento: