Avdullah Hoti: 14 shkurti ishte aksident.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mendon që fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të vitit të kaluar “ka qenë aksidentale”.
Sipas tij, për shkak të rezultateve të dobëta të Qeverisë është e qartë tani se rezultati i zgjedhjeve të shkurtit ka qenë i rastësishëm.
“Besimi i qytetarëve në LDK po kthehet aty ku ka qenë gati. Në zgjedhje lokale kemi dalë partia e parë. Ne jemi e njëjta LDK, në disa pozicione janë ndërruar njerëz, por s’e kemi ndërruar parimin dhe e bëjmë njëjtë politikën”, tha Hoti në RTK.
“Çdo ditë që vazhdon kjo qeveri dëmi është shumë i madh, këta do ta dorëzojnë stafetën, siç e kanë dorëzuar në politikë të jashtme dhe shëndetësi”.
Kur është pyetur për kalimin e Doarsa Kicës nga partia Guxo në LDK, Hoti thotë se nuk do të jetë prurja e fundit në partinë e tij.
“Presim që të na bashkohen dhe deputetë të tjerë”, shton ai.
“Si mashtrues tipik në politik-bërje” e ka cilësuar kabinetin qeveritar Hoti kur ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja për energjinë, nëse u ktheni deklaratave kur është arritur kjo marrëveshje para disave viteve e kanë luftuar këtë marrëveshje, tash e kanë bërë një aneks e thonë se kjo marrëveshje e mbron shtetin e Kosovës”.
Ai thekson se marrëveshja për targa është bërë në vitin 2016, “në qeverinë paraprake është nënshkruar udhëzimi administrativ që i ndalon nga viti 2021 këto targa”.
Hoti pati kritika për ekzekutivin edhe për mos investime, duke theksuar se 700 deri në 800 milionë euro nuk po i shpenzon Qeveria.
“Nuk ka asnjë projekt që realizohet në Kosovë, janë bllokuar nga Qeveria. Janë të rëndësishme për qytetarë, por edhe për kompanitë, këto mjete do mund të implikoheshin në ekonomi”.
Deputeti i LDK-së ka shtuar se është e pa pranueshme konfrontimi që ka bërë Qeveria me sindikatat.
Hoti mendon se “ka munguar dialogu social”.
“Janë të papërgjegjshëm, e kanë shndërruar në kauzë politike. E drejta është plotësisht në anën e sindikatave. Por, mënyrën si po komplikohet me ta është e pa pranueshme”.
“Në vitet të tjera kur ka pas kërkesa të tilla është dashur të zvogëlohen shpenzimet, por tash nuk ka nevojë të zvogëlohet buxheti. Kjo kërkesë është legjitime, inflacioni është shumë i lartë dhe çmimi ushqimeve është rritë shumë”.