Ish-kryenegociatori Arifi: Finalja për çështjen e dinarit do të jetë ashtu siç duan ndërmjetësuesit, e jo siç dëshiron Kurti

16:33 | 28 Shkurt 2024
ish-kryenegociatori-arifi:-finalja-per-ceshtjen-e-dinarit-do-te-jete-ashtu-sic-duan-ndermjetesuesit,-e-jo-sic-deshiron-kurti

Një takim mes palës kosovare dhe asaj serbe është zhvilluar të martën në Bruksel.

Temë e takimit ka qenë çështja e dinarit serb.

Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, derisa atë të Serbisë, kryenegociatori Petar Petkoviq.

Por, ky takim nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret.

E, pas përfundimit të takimit i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj “duhen takime shtesë”, shkruan Front Online.

Lidhur me këtë çështje për Front Online ka folur ish-kryenegociatori për dialog, Avni Arifi.

Pa dashur të flet shumë për takimin e së martës, Atifi po thotë se dialogu është shndërruar në të vetmin prioritet të Kurtit duke i lënë anash të gjitha çështjet e tjera.

“Dialogu si prioritet i 7-të i premtuar nga Qeveria Kurti u shndërrua në të vetmin prioritet të kryeministrit Kurti me të cilin gjatë gjithë kohës është i preokupuar. Krejt ato përrallat e VV-së, për arsim cilësor, zhvillim ekonomik, shëndetësi, njohje ndërkombëtar, kujdes për të rinjtë dhe pensionistët mbetën përralla të bukura që ende zyrtarët e VV-së me retorikën e tyre ultra-majtiste po dinë t’i mbajnë qytetarët në errësirë”, është shprehur ish-kryenegociatori Arifi.

Arifi, thotë se Kosova e ka humb pronësinë mbi procesin e dialogut.

“Kjo do të i falej Kurtit mbase sikur dialogu të kishte shkuar mirë. Dialogu në këto tri vite ka përjetuar fiasko totale ku Kosova tani më nga bota demokratike është një vend nën sanksione të BE-së dhe  po shihet si bashkëfajtore dhe e barabartë në destruktivitet me Serbinë. Kosova e ka humb pronësinë mbi procesin dhe çdo aftësi për të imponuar në mënyrë të rregullt tema në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë tutje ai për Front Online.

 

Ish-kryenegociatori Arifi: Temë e dialogut është dashur të jetë njohja reciproke, e jo dinari

Ish-kryenegociatori për dialog Avni Arifi po e sheh të paarsyeshme që në Bruksel të diskutohet për tema të tjera.

Ai shprehet se tash temë atje është dashur të jetë njohja reciproke.

“Temë e dialogut është dashtë të jetë njohja reciproke e jo temat anësore që i ka sjellë në formë krejtësisht të mbrapshtë Qeveria e Kosovës”, është shprehur Arifi për Front Online.

Por, thotë se me arrogancën që po tregon kjo Qeveri mund të rikthehen edhe tema që janë mbyllur.

“Me arrogancën dhe sjelljen aktuale të Qeverisë së Kosovës është e pritshme që në Bruksel mund të rikthehen edhe tema që kaherë janë mbyllur apo që kurrë nuk kanë qenë të paramenduara se duhet për to në Bruksel të ketë marrëveshje”, ka deklaruara Arifi.

 

Arifi: Takimi në Bruksel tërësisht politik, Qeveria dëshmoi joseriozitet dhe dëmtim të pozicionit negociues

Ish-kryenegociatori Avni Arifi ka folur edhe për përfaqësuesit që kanë marrë pjesë në takimin e së martës në Bruksel.

Sipas tij, takimi trepalësh në Bruksel ka qenë tërësisht politik.

Dhe, se me këtë siç thotë Arifi, Qeveria e Kosovës me këtë veprim ka dëshmuar joseriozitet dhe dëmtim të pozicionit negociues.

“Kjo logjika e mashtrimit se ky është proces teknik e jo politik jo që është joadekuat por është shumë i dëmshëm. Kur kanë filluar bisedimet “teknike: në vitin 2011 atëkohë Vetëvendosja pretendonte se asgjë teknike nuk ka në raport me Serbinë por gjithçka është politike. Edhe takimi në Bruksel pavarësisht se kush ka marrë pjesë është tërësisht politik dhe Qeveria e Kosovës me këtë veprim vetëm ka dëshmuar joseriozitet dhe dëmtim të pozicionit negociues të vetvetes dhe asgjë më shumë”, është shprehru Arifi për Front Online.

 

Ish-kryenogociatori Arifi: Dinarin e solli në tavolinë arroganca e Kurtit e jo aleatët

“Dinarin nuk na e sollën në tavolinë aleatët, por arroganca e kryeministrit Kurti”.

Kështu, po vlerëson ish-kryenegociatori Avni Arifi.

Arifi për Front Online ka thënë se kokëfortësia e kryeministrit Kurti duke mos i ndjekur rekomandimet e aleatëve ka sjellë politizimin e kësaj çështjeje.

Dhe krejt në fund për shkak të kësaj, Arifi po beson se finalja për çështjen e dinarit do të jetë ashtu siç e shohin ndërmjetësuesit e jo siç ka dëshiruar Kurti.

“Dinarin nuk na e sollën aleatët në tavolinë por arroganca e Kurtit. Të gjithë aleatët e Kosovës e përkrahin Kosovën në këtë proces dhe krejt çka është dashtë është dashtë që të ndiqen rekomandimet e miqve. Kokëfortësia e Kurtit ka sjellë politizimin e këtij procesi, dobësimin e politikës së jashtme të Kosovës karshi aleatëve dhe finalja do të jetë ashtu siç e shohin ndërmjetësuesit e jo siç ka dëshiruar Kurti”, është shprehur ndër të tjera Arifi.

 

Arifi: Kurti e ka pranuar Asociacionin, tendenca e tij që me pranu ‘por mos me ja pre shiritin’, është temë elektorale

Ekspertë të fushës po deklarohen se çështja e dinarit serb është zgjidhur në vitin 2002.

Por, se ndoshta kjo po bëhet vetëm sa për ta përshpejtuar themelimin e  Asociacionit, por duke e lën nën hije këtë të fundit.

E, ish-kryenegociatori Avni Arifi, ka dekalruar për Front Online se nuk mund të lihen nën hije obligimet që tashmë vetëm janë marrë.

Sipas tij, Qeveria Kurti e ka pranuar Asociacionin dhe siç thotë Arifi dhe tendenca e tij që me pranu “por mos me ja pre shiritin” është vetëm temë .

“Nuk është në dorën e Qeverisë së Kosovës me ‘lën nën hije’ obligimet e marrura. Qeveria Kurti e ka pranuar Asociacionin dhe tendenca e tij që me pranu ‘por mos me ja pre shiritin’, është vetëm temë elektorale dhe si truk elektoral po i bën dëm Kosovës në vazhdimësi”, ka deklaruar ai.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha sot për REL se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.

E, për këtë ish-kryenegociatori Avni Arifi, thotë se kjo kërkesë ka qenë e pritshme, dhe se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës t’i trajtoj me seriozitet shumë të madh kërkesat e DASH-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet. Sipas tij, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro.

Kurse, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se qëllim i Kurtit është “spastrimi etnik i popullit serb nga Kosova”./Front Online/

Komento: