
Ish-kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Andriy Parubiy, është qëlluar për vdekje në qytetin perëndimor të Lvivit, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Pamje të paverifikuara, që pretendohet se tregojnë momentin e sulmit, duken sikur paraqesin një person të armatosur, i veshur si korrier, që i afrohet Parubiyt në rrugë dhe ngrit armën pas tij, përpara se të largohet me vrap.
Një operacion i madh kërkimi është duke u zhvilluar për identifikimin e të dyshuarit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përshkroi sulmin e së shtunës si një “vrasje të tmerrshme” dhe i shprehu ngushëllime familjes së Parubiyt.
Parubiy, 54 vjeç, u bë i njohur gjatë protestave masive të Euromaidanit, të cilat kërkonin lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian dhe që sollën rrëzimin e ish-presidentit pro-rus, Viktor Yanukovych, në vitin 2014.
Autoritetet ukrainase kanë nisur një operacion special, me emrin e koduar Sirenë, me qëllim kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit.
“Të gjitha forcat dhe mjetet e nevojshme janë duke u vënë në përdorim”, tha Zelensky në një deklaratë.
Prokuroria e Ukrainës tha se “një person i paidentifikuar ka qëlluar disa herë ndaj politikanit” dhe se Parubiy “ka vdekur në vendngjarje”.
Burime të BBC-së brenda organeve të rendit në Ukrainë thanë se shtatë gëzhoja u gjetën më pas në vendin e krimit.