Ish kryetari i OEK-ut: Kosova po shndërrohet në shtet social, këtë dimër problemi kyç do të jetë rryma

21:32 | 27 September 2022

Gërxhaliu: Kosova po shndërrohet në shtet social, këtë dimër problemi kyç do të jetë rryma.

Ish kryetari i Odës ekonomike të Kosovës, ka thënë se njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet Kosova këtë dimër do të jetë furnizimi me energji elektrike.

I kontaktuar nga lajmi, Gërxhaliu deklaroi se Kosova betejën me energjetikën e ka humbur 20 vite më parë.

“Një ndër sfidat më të mëdha me të cilat do të ballafaqohet këtë dimër Kosova do të jetë furnizimi me energji elektrike, e kemi thënë edhe në te kaluarën që Kosova e ka humbur betejën energjetike para 15-20 viteve kur kanë dështuar projektet e mëdha për të prodhuar energji elektrike. Është një fitore e madhe e armiqve të Kosovës, në rend të parë Alternativës Ballkanike për Energji Elektrike por edhe qarqeve të caktuara që duke u thirrur në emër të patriotizmit ambiental e kanë shkatërruar zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim do të jetë mjaft sfiduese, nuk është në pyetje më çmimi i lartë i energjisë elektrike por a do të ketë për të blerë?!”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas njohësit të ekonomisë, shkaktarët të cilët e varrosën mundësinë e ndërtimit të termocentralit të ri duhet të vendosen para ligjit dhe duhet përshpejtuar ndërtimi i tij sa më shpejtë.

“Të kemi sundim të ligjit dhe shkaktarët që kanë varrosur energjetikën në Kosovë të dalin para ligjit. Në këtë drejtim duhet të përshpejtohen procedurat për termocentral të ri, në rast se kjo nuk do të bëhet problemi me energji nuk do të jetë vetëm këtë vit por edhe në të ardhmen. Ndërkohë që për ekonomi do të ëndërrojmë, sepse do te jetë shumë e vështirë për ta arritur. Kriza energjetike do të ndikoj më tepër që prodhimet kosovare të mos jenë konkurruese dhe kualiteti i tyre nuk do të jetë ai i nivelit të dëshiruar.”, është shprehur Gërxhaliu.

Sa i përket situatës ekonomike në vend për përballjen me inflacionin, Gërxhaliu ka thënë se Kosova është shndërruar në një shtet social.

“Problem më i madh që po i ndodh Kosovës është se është shndërruar në një shtet social, e pranuam apo se pranuam. Kosova meriton më tepër, meriton sektor privat më të fuqishëm, meriton një qasje më të mirë në sundimin e ligjit që do të përmirësonte imazhin e Kosovës për investitorët e huaj. Duhet të kuptohet që ekonomia është një lokomotivë që duhet të përcillet nga mbrapa dhe jo të i dilet përballë e të pengohet zhvillimi ekonomik”, u shpreh Safet Gërxhaliu.

Ai ka kërkuar depolitizimin e ekonomisë, pasi që sipas tij çdo bord politik vetëm po e pengon zhvillimin ekonomik.

Gërxhaliu, ka kërkuar nga Qeveria një qasje të re që e ndihmon sektorin privat.

“Por në këtë drejtim në rend të parë duhet të gjejmë një zgjidhje për të dal nga kriza, e dyta duhet të kemi alternative se si të ndihmohen kategoritë e rrezikuara, por të njëjtën kohë duhet të mendohet si të mbështetet sektori privat sepse është siguria e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në qoftë se do ta kemi një sektor privat të dëmtuar do të prishet harmonia e buxhetit dhe këtë nuk e meriton Kosova.”, shtoi ai.

Sipas të dhënave nga Banka Botërore, inflacioni në Kosovë vetëm gjatë muajit qershor ishte 19.2%, që i bie 5% më i lartë se në të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar.

Komento: