Ish-mesfushori i Barcelonës ka befasuar me deklaratën e fundit për Leo Messin.
Bernd Schuster, beson se klubi katalonas është bërë më i varur nga kapiteni argjentinas Lionel Messi sesa kurrë më parë.
Përkundër që mungoi në nisjen e sezonit 2019/20 shkaku i problemeve me lëndime, Lionel Messi e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë në La Liga, duke e fituar çmimin “Pichichi” për herë të shtatë.
Argjentinasi i ka shënuar 31 gola në 43 paraqitje në të gjitha garat, së fundi duke shënuar në fitoren e Barcelonës kundër Napolit për ta siguruar një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kundër Bayern Munichut.
Messi e kishte bërë një vrapim mbresëlënës duke dribluar kundërshtarët dhe e kishte përfunduar këtë vrapim me një goditje të bukur, para se ta fitonte edhe një penallti, të cilën ia dha Luiz Suarezit për ta siguruar fitoren 3:1.
Të premten, Barcelona do të përballet me Bayernin në çerekfinale dhe Schuster beson se ish-klubi i tij po varet më shumë sesa që duhet nga Messi dhe ka paralajmëruar se do ta kenë vështirë kundër Bayernit nëse argjentinasi nuk është në formë atë natë.
“Barcelona po varet më shumë sesa kurrë më parë nga Messi”, ka thënë ish-mesfushori i Barcelonës për gazetën gjermane Bild.
“Messi ende është në gjendje të sigurojë fitore nëpër ndeshje i vetëm. Ai e ka cilësinë e nevojshme për të shënuar gola kundër Bayernit dhe për ta vendosur rezultatin e ndeshjes edhe vetë”.