Ish-ministri Ferati: Të respektohet vendimi për Manastirin e Deçanit, opinioni ta vlerësoj Kurtin pse po i ndryshon qëndrimet

08:03 | 14 Mars 2024
ish-ministri-ferati:-te-respektohet-vendimi-per-manastirin-e-decanit,-opinioni-ta-vleresoj-kurtin-pse-po-i-ndryshon-qendrimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.

Sipas kryeministrit kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Por, sa ishte në opozitë Kurti vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me pronat për Manastirin e Deçanit i quante “vendime të Millosheviçit”.

Lidhur me këtë dhe çështje të tjera për Front Online ka folur ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Sipas tij, gjithmonë sa je në opozitë hapësira e manovrimit është më e madhe, derisa kur je në pushtet krijon përgjegjësi.

Ferati thotë se nëse atëherë nuk i ka gjykuar askush, tash do të fillojë vlerësimi i partnerëve lidhur me këtë vendim por edhe me vendime të tjera.

“Nëse atëherë askush nuk i ka gjyku pse po thonë ashtu, ndërsa tash mund të fillojë ngadalë- ngadalë vlerësimi i partnerëve dhe palëve të interesuara në raport me vendimet e caktuara. Edhe ky vendim tash që është në pajtueshmëri me vendimet e organeve kompetente në këtë rast si i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk është me e gjykua pse po ndodhë, por tash opinioni do ta vlerësojë që çka është mendimi i tyre, pse kur ishte në opozitë ka deklaruar ndryshe, ndërsa në pozitë po merr këso vendime”, është shprehur Ferati për Front Online.

Ferati ka përmendur edhe atë se nëse ky vendim do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se kjo do të ishte e mirëseardhur.

“Në rend të parë është obligim i të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që t’i respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe të gjykatave të tjera, por sidomos i Gjykatës Kushtetuese sepse aty nuk ka rrugë më për ankimim, pra duhet të zbatohen me çdo rast. Dhe, nëse ky zbatim, pra i këtij vendimi dhe i shumë vendimeve të tjera krijon një drejtim të mirë për Republikën e Kosovës dhe një vlerësim pozitiv për Këshillin e Evropës kjo është aq më e mirëseardhur për shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

 

Ferati për Asociacionin: Do të vazhdojë presioni ndërkombëtar në përshpejtimin e kësaj çështje

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë theksuar se draft-statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Një kërkesë të tillë e ka pasur edhe Bashkimi Evropian.

Por, pavarësisht kësaj Qeveria e Kosovës nuk po e bën një gjë të tillë. Ani pse të njëjtit janë pajtuar për dërgimin e dokumentit në Kushtetuese.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati për këtë çështje thotë se Kosova e ka për obligim të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Derisa shton se duhet të ketë një faktor konstruktiv se si të ecet përpara me këtë.

“Por, nga ana tjetër duhet me qenë një faktor konstruktiv dhe me ide të qarta se si të ecet përpara, si të normalizohen raportet me Serbinë, si të shtrihet sovraniteti dhe si të dukemi një shoqëri e cila punon dhe i mirëpret të drejtat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Ferati për Front Online.

I pyetur se a pret që zbatimi i themelimit të Asociacionit të fillojë në mandatin e kësaj Qeverie, Ferati ka deklaruar se nuk mund të jep afate, por se presioni i bashkësisë ndërkombëtare do të vazhdojë.

“Nuk do të kisha prognozu afate, ngase nuk janë lehtë të lexueshme por e di që do të vazhdojë presioni i bashkësisë ndërkombëtare në raport me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kryeministrin në përshpejtimin e këtij procedimi ngase ata e konsiderojnë se me këtë veprim i kontribuon shumë realizimit të të gjitha marrëveshjeve që janë nënshkruar dhe normalizimit të raporteve me Serbinë”, ka thënë ai.

 

(Mos)Shkarkimi i kryetarëve në veri/ Ferati: Besoj se do të arrihet 50% plus 1

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që me 21 prill të mbahen votimet për largimin ose jo nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vendimi erdhi pas verifikimit të listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticion gjatë muajit janar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Por, nga ish kryetar të KQZ-së, dhe anëtar të saj, ky vendim po konsiderohet si shkelje kushtetuese.

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka deklaruar për media se precedenti që ka vendosur KQZ-ja, ndonëse i dyshuar si anti-kushtetues, mund të çojë në votime të tjera për shkarkim të kryetarëve të komunave në jug.

E ish-ministri i Pushtetit Lokal, nuk ka dashur ta komentojë këtë, por vetëm ka thënë se e rëndësishme është që në atë pjesë do të krijohen institucione.

Ani pse sipas tij edhe këto që janë, janë legjitime por se dalja në zgjedhje ka qenë shumë e ulët.

“Sido që të jetë me udhëzimin administrativ dhe është një pajtueshmëri e institucioneve që të shkohet me këtë procedurë që është aspekt teknik megjithatë. E rëndësishme është që atje po krijohet hapësirë që me iu dhënë e drejta e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës për të krijuar institucione legjitime. Ngase këto ekzistueset janë legale, por e vërteta është që me atë përqindje të qytetarëve që kanë dal në zgjedhje është një legjitimitet fare i varfër”, ka thënë ai për Front Online.

Ndërsa, kur është pyetur se a pret që më 21 prill të votojnë më shumë se 50 për qind plus 1 e votuesve, gjë që nënkupton se kryetari vetëm me këtë mund të shkarkohet, Ferati ka thënë se mendon që po.

“Unë mendoj që po”, është përgjigjur shkurt ai.

Votimi do të realizohet bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe udhëzimin administrativ për shkarkimin e kryetarëve në veri, të cilin e ka hartuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal./Front Online

 

 

Komento: