Ish-ministri i Brendshëm i reagon krerëve të sigurisë: Mos përhapni panikë tek qytetarët për sulme terroriste, bashkëpunoni me aleatët

18:03 | 28 Mars 2024
ish-ministri-i-brendshem-i-reagon-krereve-te-sigurise:-mos-perhapni-panike-tek-qytetaret-per-sulme-terroriste,-bashkepunoni-me-aleatet

Një situatë si ajo e Banjskës po paralajmërohet se mund të përsëritet.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se janë në dijeni se grupe kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në kazerma ushtarake serbe për një sulm tjetër ndaj policisë së Kosovës.

Të njëjtën e tha edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Këto grupe paraqesin rrezik pasi nuk janë ndëshkuar nga Serbia, vazhdojnë të qarkullojnë brenda territorit të Serbisë, gjithmonë me iniciativë për t’u infiltruar prapë në territorin e vendit tonë”, ka deklaruar ministri Maqedonci.

E këto deklarime të liderëve të sigurisë në Kosovë, po vlerësohen të pamatura.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa në një prononcim për Front Online ka thënë se nuk është e nevojshme që të përhapet panikë tek qytetarët.

Ai tha se nëse ka sulme, institucionet e sigurisë duhet të jenë të gatshme, mirëpo pa dhënë informacione tek qytetarët.

“Këto deklarime të tyre nuk janë frytdhënëse për qytetarët e Kosovës, ata duhet të jenë të përgatitur nëse ka sulme, mirëpo me shqetësu qytetarët dhe me shqetësu popullatën, nuk ka nevojë. Ata duhet të jenë të përgatitur, duhet të jenë vigjilentë si Policia e Kosovës, por edhe ushtria e Kosovës duhet të jenë gjithmonë të gatshëm, por qytetarët nuk ka nevojë me i shqetësu. Duhet me u mobilizu institucionet e sigurisë së Kosovës që me qenë çdo herë të gatshëm, dhe me bashkëpunu me aleatët tonë, me dhënë informacione të sakta, qytetarët nuk kanë nevojë të informohen ose të përhapen panikë tek qytetarë”, tha ai për Front Online.

Ish-ministri i Brendshëm: Serbia nuk intervenon me ushtri, policia duhet të jetë gati për t’u përballur me grupet kriminale

 

Ish-kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa për Front Online tha se nuk mund të ketë eskalim të situatës në veri të Kosovës.

Por, sipas tij policia duhet të jetë gjithmonë gati për t’u përballuar me grupe kriminale serbe.

“Policia e Kosovës e ka agjendën operative të veten, ajo nuk merr direktiva nga askush, sa i përket gatishmërisë së FSK-së, aty veriu dhe jugu janë afër, jugu do të jetë i mobilizuar për çdo eventualitet nëse ka nevojë me intervenu. Bazat ushtarake në kufi janë qe 4 vite, kryetari serb është deklaruar që askush nuk mundet me tregu se ku e dërgon ushtrinë, por nuk ka eskalim të situatës në veri përveç grupeve kriminale dhe terroriste, gjithmonë duhet të jemi të përgatitur që të iu dalim përballë atyre. A sa i përket shtetit serb që intervenon me ushtri dhe polici të tyre në Kosovë nuk besoj”, tha ai për Front Online.

 

Paralajmërimet për sulme të reja në veri/ Kastrati: Duhet të jemi vigjilentë, Rusia përmes Serbisë nuk e lë të qetë Ballkanin

 

Vigjilencë nga institucionet e sigurisë kërkon edhe ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

Ai në një prononcim për Front Online tha se Serbia dëshiron që ta mbajë nën presion Kosovën.

Kastrati thotë që Rusia përmes Serbisë nuk do ta lërë Ballkanin Perëndimorë të qetë, e këtë sipas tij e dinë edhe NATO.

“Qëllimi i Serbisë është që ta mbajë Kosovën nën presion, eventualisht të bëjnë ndonjë konflikt në atë pjesë kinse për me i mbrojtur të drejtat e serbëve në Kosovë. Ky është rreziku më i madhi, sepse si qëllim kryesorë Rusia mes Serbisë e ka që Ballkanin Perëndimorë mos me lënë të qetë, mundësisht me bë ndonjë konflikt në Bosnje, Kosovë apo në Mal të Zi dhe këtë e dinë shumë NATO, dhe për këtë arsye NATO ka sjell trupa shtesë në Kosovë. Ne nuk guxojmë ta neglizhojmë, të rrimë pasiv, duhet të jemi shumë vigjilentë”, ka thënë ai për Front Online.

Ai kërkon nga politikanët që të jenë të matur me deklarimet e tyre sa i përket kësaj çështjeje.

“Unë mendoj që politikanët duhet të jenë të matur në deklarimet e tyre që mos të përhapin panik në popullatë, mos të deklarojnë diçka që faktikisht popullata të jetë e shqetësuar, por të përgatiten ata më shumë brenda për brenda dhe të ua lënë ekspertëve, si FSK-së ashtu edhe Policisë që ata të vlerësojnë, të marrin hapat e duhur për të menaxhuar eventualisht një situatë që do të duhej të veprojnë ata”, u shpreh ai.

Kujtojmë se më 24 shtator të 2023, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur nga një grup kriminal serb, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë, zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë./Front Online/

Komento: