Ish-ministri i Energjisë: “Qeveria Kurti” nuk e ka shtuar asnjë megavat energjetik, po i ri sjellë reduktimet 25 vite pas përfundimit të luftës

08:38 | 28 December 2024
ish-ministri-i-energjise:-“qeveria-kurti”-nuk-e-ka-shtuar-asnje-megavat-energjetik,-po-i-ri-sjelle-reduktimet-25-vite-pas-perfundimit-te-luftes

Mungesa e energjisë elektrike në disa qytete të Kosovës ka krijuar shqetësime të mëdha për qytetarët, të cilët po përballen me ndërprerje të shpeshta të furnizimit me enegji elektrike, ku disa qytete po përballen nga 8-10 orë me mungesë të rrymës.

Në këtë situatë, Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë kanë apeluar tek qytetarët për ruajtjen e energjisë, duke theksuar se janë shpenzuar sasi të mëdha energjie, ndërkohë që situata ka rënduar për shkak të kushteve të pafavorshme dhe rritjes së kërkesës.

Në lidhje me reduktimet e gjata të energjisë elektrike në disa Komuna të Kosovës, të premten janë deklaruar për media ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, i cili ka thënë se reduktimet e rrymës janë “si rezultat i zhvillimit të hovshëm ekonomik”.

Kjo deklaratë e Zeqirit nuk po e bindë ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecin, i cili në kuadër të këtij diskateri qeveritar është marrë edhe me çështje të energjisë dhe minierave.

Stavileci ka thënë se ky dështim në furnizim të rregullt me energji elektrike ka sjellë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për qytetarët e Kosovës, të cilët, siç thotë ai, po përballen me çmime të shtrenjta dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

Stavileci thotë se nëse Qeveria Kurti do të kishte një plan alternativ, do të kishte mundësi të rriste kapacitetin prodhues energjetik në vend, duke përmendur refuzimin e gazit amerikan.

“Qeveria e cila e ka refuzuar atë plan do ta kishte një plan alternativ dhe po të futej ndonjë megavat i ri në funksion, ndoshta do të mund ta vlerësonim se ka bërë diçka pozitive. Por, atë projekt që e kanë dështuar dhe s’është bërë asgjë në rrafshin për furnizimin me energji elektrike po na sjell këto situata dhe një çerek shekulli pas përfundimit të luftës dhe 17 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe 5 vite që janë në pushtet” tha Stavileci për Front Online.

Stavileci: Qytetarët s’mund t’i përballojnë reduktimet dhe tarifat e shtrenjta të energjisë

Ish-ministri Blerand Stavileci theksoi gjithashtu se, përkundër kohës së mjaftueshme që ka pasur Qeveria për të zbatuar projekte energjetike, mungesa e zhvillimit të tyre tregon dështimin e qeverisjes.

 “Ne e dimë që projektet e energjisë nuk mund të realizohen për tre muaj apo gjashtë, por 5 vite janë të mjaftueshme ose të vazhdohet me diçka që është nisur, siç ka qenë projekti i termocentralit ‘Kosova e Re’, ose të bëhet diçka e re,” shtoi ai.

Stavileci ka kritikuar edhe vendimet e fundit të qeverisë për tarifat e energjisë elektrike, duke thënë se këto vendime janë irituese për qytetarët dhe përkeqësojnë ndjeshëm situatën për ata që po përballen me të ftohtin e dimrit dhe çmimet e larta.

“Derisa politikanët mund të konkurrojnë me ide e vetmja gjë që është faktike është që qytetarët nuk mund të konkurrojnë me të ftohtit dhe çmimet e shtrenjta të energjisë elektrike dhe vendimet e fundit për tarifat kyçe pas shkyçjeve që bëhen dhe gjitha këto janë irituese për qytetarët e vendit tonë”, shprehet ai.

Stavileci: Qeveria ‘Kurti’ nuk ka plan për zhvillimin energjetik të Kosovës

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci duke folur për “Front Online” ka kritikuar “Qeverinë Kurti” për mungesën e një plani të qartë dhe afatgjatë për zhvillimin energjetik të Kosovës.

Ai ka deklaruar se një qeveri e cila nuk ka një plan të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik, arsimin dhe shëndetësinë, është e pamundur të hartojë një strategji për sektorin energjetik.

Stavileci ka theksuar se mungesa e një plani të koordinuar ka krijuar një vakuum që ka penguar avancimin e projekteve energjetike, përfshirë atë të termocentralit të ri “Kosova e Re”.

“Një qeveri e cila nuk ka plan për zhvillim ekonomik për zhvillimin e arsimit dhe për atë të shëndetësisë, pothuajse është e pamundur që të ketë një plan për zhvillimin energjetik të vendit. Ato duhej të shiheshin bashkë në një plan të përbashkët, apo në mungesë të tij është dashur të zgjidhej njëri nga problemet më të mëdha që e ka përcjell vendin tonë” ka deklaruar Stavileci.

Ai ka rikujtuar se, në të kaluarën ishte arritur një progres në nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për ndërtimin e termocentralit 500 megavatë “Kosova e Re”, një projekt kyç për furnizimin me energji të vendit.

Stavileci ka theksuar se në vitin 2017 ishte nënshkruar ky memorandum dhe pritej që marrëveshjet komerciale të finalizoheshin, me qëllim që projekti të finalizohej brenda tre viteve.

“Ka qenë ndërtimi i termocentralit 500 megavatë Kosova e Re që në vitin 2017, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit dhe pritej që të nënshkruhej marrëveshjet komerciale të finalizoheshin dhe pastaj brenda 3 viteve të finalizohet i gjithë projekti që ne sot e kësaj dite do të kishim 500 MW të rinj të futur në funksion dhe kur dihet që në vitin 2020-2021 që ndodhën kriza të mëdha sikurse pandemia dhe efektet e tyre dhe nevoja e këtyre kilovatëve edhe më e madhe ndonëse ato parashikoheshin të vinin në funksion edhe pa i ditur këto kriza”, thotë ai.

Stavileci theksoi se vizioni dhe plani i qeverisë së kaluar për ndërtimin e “Kosova e Re” kishte qenë i duhur dhe se, pa dyshim, do të kishte lehtësuar shumë situatën energjetike që aktualisht po përballet Kosova.

“Vizioni dhe plani i qeverisë e cila pati përgatitur nënshkrimin e marrëveshjes ka qenë i duhur”, tha ai. /FrontOnline/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komento: