Ish-ministri i Pushtetit Lokal: Kërkesa e Kurtit për njohje – legjitime, marrëveshja duhet të zbatohet edhe nga Serbia

07:57 | 23 Shtator 2023
ish-ministri-i-pushtetit-lokal:-kerkesa-e-kurtit-per-njohje-–-legjitime,-marreveshja-duhet-te-zbatohet-edhe-nga-serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk mund të ketë Asociacion të Komunave me shumicë serbe, pa njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Sipas tij, Asociacioni është shndërruar në qëndrim të emisarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“…Unë iu kam thënë që shkurt dhe me zë, që nuk me iu dhënë kafen pa filxhan, nuk mund të shërbehet kafja pa filxhan. Së pari të pranohet de-facto se cili është burimi legal dhe juridik i kësaj Asociacioni”, tha Kurti në konferencë.

Më këtë kërkesë të Kurtit, po pajtohet edhe ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një prononcim për Front Online thotë  se marrëveshja e arritur në Ohër duhet të zbatohet në tërësi.

“Kjo është legjitime, ngase kërkesa për t’u implementuar marrëveshja në tërësi është legjitime, është në rregull kjo si kërkesë. Nganjëherë duhet thënë që palët duhet të shkojnë të obligohen që secila të përmbush nga diçka, në mënyrë që mos të jetë rrezik që njëra palë me përmbush, ndërsa pala tjetër të mos e përmbush. Kjo është në rregull, unë mendoj që të gjitha palët duhet t’i qasen me një seriozitet dhe me një obligim që të realizohet ajo marrëveshje që qytetarët të përfitojnë nga implementimi i marrëveshjes”, tha ai për Front Online.

Ferati foli edhe për zgjedhjet që pritet të mbahen në veri të Kosovës.

Ai thotë që vështirë të mbahen në këtë vit zgjedhjet, pasi sipas tij, procesi po zvarritet.

“Situata që e kemi për momentin që nuk po shkohet sipas rrugës së shkurt, pra me mirëkuptim, në bashkëpunim me kryetarët legal që janë të zgjedhur me shku me dorëheqje atëherë po del që ky proces po zvarritet. Nëse është ideja që zgjedhjet të mbahen këtë vit atëherë është dashur me dhënë dorëheqje, në rast se shkohet me procedura të peticionit e të tjera, unë nuk besoj që zgjedhjet do të mund të mbahen në këtë vit”, u shpreh ai.

Rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit./Front Online/

 

 

Komento: