
Disa audio-incizime janë publikuar në media të cilat shpërfaqin një skandal që pretendohet të ketë ndodhur në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Në këtë audio-incizime flitet për rezervat shtetërore, blerjen e paligjshme të vajit e grurit që nuk erdhi në Kosovë.
Për këto “skandale”, për Front Online ka folur ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.
Ai thotë se në këto çështje ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë të ministres Rozeta Hajdari.
“Ne konsiderojmë se ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë të ministres Hajdari edhe në punët e pagesave e që është shkelje ligjore e që nuk ka të drejtë, interferime me çfarë xhirollogarie e ku ta di unë, po ashtu edhe tjetra që kemi dëgjuar këtë incizimin e fundit të një zyrtari certifikues i cili është zyrtar i fundit i cili jep tikun e fundit për t’u kryer një pagesë”, ka thënë ai.
Kurse, sa i përket audio-incizimeve për rezervat shtetërore, protagonist i tyre ishte Enver Hajrullahu, i cili mban pozitën e certifikuesit në MINT.
Sipas publikimeve që janë bërë, Hajrullahu ishte caku i presionit për të nënshkruar kontratën rreth grurit edhe pse disa tonë mungonin, mirëpo i njëjti kishte refuzuar ta bënte këtë.
E, menjëherë pas kësaj zyrtarë të pushtetit kanë reaguar duke thënë se i njëjti ka qenë asamblist i Nismës.
Këtë e ka pranuar edhe vet ish-ministri Krasniqi, por se ka thënë se me vendimin që ka marrë Zejnullahu, ky i fundit për të është hero.
“Është e vërtetë që Enver Hajrullahu zyrtari certifikues në të kaluarën ka qenë asamblist i Nismës, por e rëndësishme është që nuk ka pesh se cilit subjekt i takon Enver Hajrullahu. Po ka qenë në Nisma në kohën kur është zgjedh. Por, kjo nuk do të thotë se është bërë në baza partiake, për mua sot Enveri është një hero i cili i ka thënë një të keqes jo, dhe përveç kësaj edhe përgjimet e para që kanë qenë ne i kemi parë që ministrja drejtpërdrejtë ka ndërhy dhe ka shkel ligjin për rezerva shtetërore kur edhe e para duhet të hapen procedurat përmes prokurimit”.
Ai ka shpejguar edhe anën ligjore se si mbrohen rezervat shtetërore.
Ish-ministri Krasniqi tregon hapat në bazë të të cilëve thotë se ministrja Hajdari ka shkelur ligjin duke mos iu përmbajtur procedurave të parapara.
“Neni 9 për rezerva shtetërore aty thekson është konfidenciale vendndodhja e rezervave do të thotë tjerat procedura duhet të hapen, të rregullohen, të zgjidhet operatori ekonomik dhe këtu as procedurat e prokurimit nuk i kanë zbatu, e dyta ministrja pa raport të pranimit të mallit ka synuar me bë pagesë, dhe e treta ministrja pa ardhë malli hiq ka shku me xhirollogari tjetër nga ajo që e ka dorëzu në faturë ka dhënë një xhirollogari tjetër me ia qit mjetet pa u bë një pranim i mallit”, është shprehur ish-ministri Krasniqi.
Ish-ministri Krasniqi: Edhe gruaja e Armend Mujës u avancua në pozitë sa isha unë ministër, nuk ishte në Nisma
Për akuzat e Armend Mujës, që Enver Hajrullahu ka qenë asamblist i Nismës dhe se tash po paraqitet të jetë i ndershëm, ka folur edhe ish-ministri Vesel Krasniqi.
Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë aspak me parti, pasi që në kohën e tij edhe gruaja e Armend Mujës është avancuar në pozitë, por se nuk i ka takuar subjektit Nisma.
“Ajo që më ka bë përshtypje është që ministrat, deputetë në këtë rast deputeti Muja i cili kishe reaguar se ky i takon një subjekti, çka ka të bëj këtu subjekti politik i takon. Këtu nuk mundet me fshehë a është i atij subjekti apo tjetrit subjekt, ai e ka kry, e ka zbatu ligjin dhe ka respektuar rregullat e pagesave. Në këtë rast duke u munduar me mbrojt ministren këtu shihet se këta janë MREZH, dhe janë keqpërdorues dhe ai i cili del në mbrojtje në këtë rast ministres edhe ai është i njëjtë me të. Deputeti Muja në kohën sa kam qenë unë ministër është avancuar edhe bashkëshortja e tij, tash kjo nuk është e Nismës, dhe ne kemi qenë në atë kohë në drejtim të kësaj ministrie”, ka deklaruar Krasniqi për Front Online.
Vesel Krasniqi: Ministrja Rozeta Hajdari e ka obligim moral të jap dorëheqje
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka thënë për Front Online se ministrja Rozeta Hajdari pas audio-incizimeve që janë publikuar e ka obligim moral të jap dorëheqje.
Në të kundërtën duhet të shkarkohet nga kryeministri, Albin Kurti.
“Nëse një zyrtar i imi do ta kishte kry diçka pa pranimin e mallit dhe do ta kishin bë pagesën unë vet kisha dhënë dorëheqje dhe është obligim moral më dhënë dorëheqje. Në të kundërtën kryeministri e ka obligim që ta shkarkoj këtë ministre të cilës skandalet nuk po i ndale. Çdo ditë ka skandale, nuk është vetëm një”, është shprehur ai.
Krasniqi, thotë se në Ministrinë e Tregtisë ka shumë shkelje.
“Me bindjen më të plotë ju them, nëse bëhet një auditim i thuktë në këtë ministri aty ka shumë shumë shkelje të cilat vërtetë nuk na takojnë për kohën të cilën sot jemi, për ato të cilat qytetari ka dhënë votë mbi 50%, nuk e meriton një trajtim të tillë, një keqpërdorim të tillë të ligjit edhe të aseteve të cilat i ka kjo ministri”, ka thënë ndër të tjera, Krasniqi.
Ish-ministri Krasniqi: Punëtorët që kanë qenë më herët në ministri po trajtohen si në regjimin e Millosheviçit
Ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, ka folur edhe për punëtorët që janë ende në ministri duke punuar, por që nuk janë të Vetëvendosjes.
Ai thotë se të njëjtit po trajtohen si në kohën e regjimit të Millosheviçit.
“Ne kemi ende punëtorë që janë aty, dhe ata janë sikur në kohën e regjimit të Millosheviçit janë duke u ru kur po i gjuhen një zyrtari apo tjetrit me ndonjë presion, ose me gjet diçka në mënyrë që të bëhet presion dhe t’u diktohet gjithçka ose në të kundërtën do të largohen nga puna”, ka thënë ai.
Deklaron se largimi i sekretarëve e kryeshefave të cilët kanë qenë më herët duke punuar në ministri, është bërë për t’i hap rrugë vetes për keqpërdorime.
“Ne e dimë mirë sa sekretarin e ka ndërrua për keqpërdorimet që kanë bërë sekretarët në kohën e kësaj ministre, e dimë sa kryeshefat që janë profesionist më të mirë në kohën sa kam qenë i ka largu të gjithë, pra këtu shihet që këta i ka largu për t’ia hap terrenin vetit për keqpërdorime”, ka shtuar Krasniqi./Front Online