Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline ka kritikuar ashpër veprimet e ndërmarra nga Qeveria Kurti në fushën e çështjeve sociale gjatë katër viteve të qeverisjes, duke theksuar se shumë nga masat kanë mbetur në nivel deklarativ dhe se nuk janë arritur rezultate të qëndrueshme.
‘’ Veprimet e ndërmarra në fushën e çështjeve sociale gjatë katër viteve të qeverisjes Kurti, fatkeqësisht, kanë mbetur kryesisht në nivel deklarativ. Në vend që të ndërtohej një sistem funksional, i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i mbrojtjes sociale, kemi qenë dëshmitarë të masave të fragmentuara, vendimeve ad hoc dhe mungesës së një vizioni të qartë strategjik që do të garantonte barazi dhe mirëqenie sociale për të gjithë qytetarët’’ thotë ai.
Ai e cilësoi dështimin në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale.
‘’Dështimet më të theksuara në fushën e punës dhe mirëqenies sociale përfshijnë: Së pari, mungesa e reformës së paralajmëruar në Skemën e Ndihmës Sociale. Pavarësisht zotimeve publike, nuk është arritur të dizajnohet një model i ri që adreson në mënyrë efektive varfërinë ekstreme. Skema aktuale nuk e reflekton realitetin socio-ekonomik të vendit dhe vazhdon të jetë joadresuese për shumicën e familjeve që jetojnë në kushte të rënda sociale’’ potencoi ai.
Reçica renditi disa nga dështimet më të theksuara në fushën e punës dhe mirëqenies sociale gjatë kësaj periudhe:
‘’ Së dyti, neglizhenca ndaj sektorit privat në aspektin e mbrojtjes së punëtorëve. Punëtorët në këtë sektor vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve, duke punuar pa kontrata, pa sigurime shëndetësore dhe me paga jo-dinjitoze. Ndërkohë, fokusi i qeverisë ka qenë pothuajse ekskluzivisht në sektorin publik, duke thelluar pabarazitë dhe fragmentimin social. Së treti, qasja joefektive në politikat aktive të punësimit. Programet si “Superpuna” kanë pasur karakter demonstrativ dhe nuk kanë sjellë ndikim të qëndrueshëm në tregun e punës. Ka munguar një strategji e integruar për zhvillimin e kapaciteteve të fuqisë punëtore përmes trajnimeve profesionale, si dhe një partneritet i sinqertë me sektorin privat për krijimin e vendeve të reja të punës’’ shtoi ai për FrontOnline.
Ish-ministri i punës dhe mirëqenies sociale, Reçica e pranoi rritjen e pagës minimale si një hap të nevojshëm, por e quajti atë të vonuar dhe të pjesshme.
‘’ Në aspektin e sukseseve, rritja e pagës minimale mund të konsiderohet një hap i nevojshëm dhe i shumëpritur për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, por ky hap erdhi me vonesë dhe në mënyrë të pjesshme’’ deklaroi ai për FrontOnline.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për përjashtimin e veteranëve të luftës çlirimtare nga përfitimet e kësaj politike.
‘’Shqetësues është fakti se kjo politikë la jashtë përfshirjes një nga shtresat më emblemë dhe me kontribut të pazëvendësueshëm në ndërtimin e shtetit, veteranët e luftës çlirimtare. Ata, që dikur dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e vendit, sot ndihen të anashkaluar dhe të harruar nga një qeveri që premtoi drejtësi sociale, por që po shpërfaq padrejtësi selektive në praktikë’’ u shpreh Reçica.
Reçica u shpreh se, kjo ka qenë një qeveri që ka folur shumë për drejtësinë sociale, por në praktikë ka dështuar të adresojë nevojat reale të qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht të atyre që mbijetojnë me ndihmë sociale, pa kontrata pune, pa sigurime dhe pa zë në vendimmarrje.
‘’ Për ta përmbyllur, kjo ka qenë një qeveri që ka folur shumë për drejtësinë sociale, por në praktikë ka dështuar të adresojë nevojat reale të qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht të atyre që mbijetojnë me ndihmë sociale, pa kontrata pune, pa sigurime dhe pa zë në vendimmarrje’’ vazhdoi ai për FrontOnline
Ai përfundoi duke theksuar se premtimet për ndryshim kanë mbetur të papërmbushura, ndërkohë që realiteti social në vend mbetet i pandryshuar për shtresat më të cenueshme.
‘’ Premtimet për ndryshim kanë mbetur të papërmbushura, ndërkohë që realiteti social në vend mbetet i pandryshuar për shtresat më të cenueshme’’ përfundoi Reçica.