Ish-ministri Zemaj: Qeveria i ka larguar nga puna 95 inspektorë

18:05 | 30 Gusht 2021

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbrëmë në një konferencë për media tha se Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë e kanë gjetur me 17 inspektorë, dhe se ata do të shtojnë edhe 85 inspektorë, në mënyrë që të mbikëqyret zbatimi i masave anti-COVID.

Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, në T7 tha se Qeveria Kurti i ka larguar në qershor nga puna 95 inspektorë të AUV-it.

Ai ka thënë se ndërprerja e kontratave të tyre është bërë me arsyetimin se pandemia ka marr fund dhe nuk ka nevojë për kosto buxhetore.

“Në qershor i kanë larguar nga puna 95 inspektorë, ju kanë ndërprerë kontratat që kanë qenë në mbikëqyrje të masave. Me këtë arsyetimin banal që pandemia morri fund dhe nuk ka nevojë për kosto buxhetore dhe kosto shtesë”.

Zemaj tha se si pasojë e largimit të tyre nga puna, nuk janë mbikëqyrur masat anti-COVID.

Sipas tij, deklarata e djeshme e Kurtit se kjo është gjithçka çfarë kanë mundur të bëjnë është dorëzim para situatës së krijuar.

“Çka ka sjellë kjo, ka sjellë mosmbikëqyrje të masave, është krijuar klima e asaj qasjes gjoja të ruajtjes së shëndetit ekonomik, po që dëmi i shëndetit publik është trefishuar-katërfishuar, kjo do të sjellë edhe pasoja të ashpra ekonomike. Kjo është logjika e udhëheqjes. Dje del dhe pa pardon thotë kjo është gjithçka çfarë kemi mundur të bëjmë, kjo është një lloj dorëzimi para situatës, para pacientëve, ekspertëve, familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre”.

Komento: