Hykmete Bajrami ia liston një nga një “rekordet e thyera” Kurtit.
Frazeologjia e kryeministrit Kurti ka kaluar nga “shumë shpejtë do ta zëmë Kroacinë” në “ja kemi thyer rekordet vetes” për rritje ekonomike, ka ironizuar ish-ministrja e financave, Hykmete Bajrami në një reagim në profilin e saj në Facebook
Faktet janë kokëforta, konstaton deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa vlerësimet e Kurtit të bëra në mbledhjen e 100’të të Qeverisë i vlerëson si “propagandë”.
Realitetin ekonomik, Bajrami e sheh ndryshe, derisa i quan “fraza të bukura” vlerësimet që Albin Kurti i bën qeverisjes së tij, në çka u shpreh se “me duhet ta pranoj që jeni i pakonkurrent”.
“Cilin rekord po e theni këtu”, u shpreh Bajrami. “Na trego të lutem”.
Rekordet që ka thyer Kurti, sipas Bajramit:
Inflacioni sipas Bankës Botërore 19.1%, sipas Agjencisë së Statistikave 12.7%. Si rezultat i rritjes së çmimeve janë rritë të hyrat nga Dogana dhe ATK-ja. Qeveria ka marrë tatime e taksa nga qytetarët e bizneset dhe po i mbani në llogari, po i leni të zhvlerësohen.
42 mijë qytetarë kanë emigruar vetëm vitin e kaluar. Sipas sondazheve të këtij viti, çdo i dyti qytetar dëshiron të ikë nga këtu.
Rekord keni keni thyer edhe me mos punë: Investimet kapitale janë më të ulëtat që nga shpallja e pavarsisë.
Rekord keni thyer edhe në shëndetësi: Shëndetësia është përkeqësuar, e thonë mjekët dhe pacientët që asnjëherë s’ka qenë më keq. Ketë e dini dhe ju se keni marrë funksion ezekutiv tani.
Rekord është thyer edhe në thëllimin e bilancit tregtar (2021: 3.9 mld. deficiti tregtar d.m.th. 4.6 mld. importe) e Serbia është kthy si partneri kryesor tregtar.
Po thoni që keni kriju 40 mijë vende pune. Nuk është e vërtetë. Në vitin 2021 sipas raporti të ZKA-së 62,417 persona kanë qenë të angazhuar në zgjedhjet lokale dhe nacionale si dhe plot 42,000 kanë emigruar, ndikim ky i drejtëpërdrejt i uljës së shifrave të atyre që kërkojnë punë.
Rekord keni thyer edhe bilancin bankar. Qeveria në vend që t’i ketë në qarkullim po i mban të bllokuara rreth 700 milionë euro, të cilat janë zhvelërsu për 140 milionë euro, për shkak të rritjes së çmimeve.
Keni thyer të gjitha rekordet në keqmenaxhimin e krizës energjetike. Reduktime në gusht, asnjë kontratë për furnizim me energji, kanë dështu remontet e blloqeve edhe vitin e kaluar por këtë vit dështimet janë edhe më të mëdha.
Duhet të përmendet gjithashtu ngritja e çmimit të rrymës në fillim të këtij viti: 85% tarifa e lartë dhe 104% tarifa e ulët, mungesa e investimeve të huaja, ikja e të rinjëve, sidomos fuqisë së kualifikaur punëtore, ikja e mjekëve, greva në arsim dhe në administratë publike, krimi/dhunimet, kontratat e negociume/korrupsioni, arrestimet në rastin Brezovica/lidhjet me VV-në, nepotizimi në punësime – asnjëherë deri me tani nuk janë marrë parasysh rekomandimet e kompanisë britaneze për punësime në pozita të larta etj.
Gjendja ekonomike nuk është e mirë vetëm pse Kryeministri thotë ashtu, as nuk është e rëndë pse opozita e cilëson si të tillë. Gjendja ekonomike është e rëndë sepse të tillë po e përjetojnë çdo ditë qytetarët e vendit të cilëve përveç të tjerave që një nga fillimi i vitit u është zvogëlu fuqia blerëse për së paku 20 për qind.