Dialogu, Haradinaj: Nuk jemi në situatë të favorshme, perëndimi më shumë karota po i jep Serbisë.
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka folur për vizitën e emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, ajo ka theksuar se në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi brenda këtij viti do të ketë një marrëveshje, por jo përfundimtare.
“Duhet të kemi parasysh se emisari Gabriel Escobar e përmendi edhe një afat 10 mujor që i është kërkuar sot formalisht kryeministrit Albin Kurti që të shtyjë implementimin e marrëveshjes për targat”.
“Kështu që, kjo lë të nënkuptohet se brenda këtij viti do të ketë, jo një marrëveshje finale, por një marrëveshje për të hapur rrugën e mëtutjeshme, që do të hap rrugën e Kosovës për lehtësim për avancim të rrugës euroatlantike dhe potencialisht Serbisë nëse do që të shkojë në atë drejtim”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se perëndimi të mira më shumë është duke i premtuar Serbisë.
“Këtu shihet që Serbia sa më afër i afrohet Rusisë, aq më shumë perëndimi mundohet që ta mbajë më afër BE-së dhe aleatëve perëndimor. Kështu që, mund të them se nuk jemi në një situatë të favorshme, sepse shihet që perëndimi ka më shumë karota, më shumë të mira, që t’i premtojë Serbisë. Ndërsa, Kosova e ka rrugën e qartë euroatlantike, qëllimet tona janë të qarta, aleatët tanë janë të qartë”.