Ish-nënkryetari i LDK-së largohet nga partia

17:30 | 03 August 2019

Sabri Hamiti ka refuzuar Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u larguar nga politika.

Ish-Nënkryetari i LDK’së, Sabri Hamiti ka vendosur të mos jetë pjesë e strukturave të LDK’së.

Ai sot është zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm.

Mirëpo, ka kërkuar t’i hiqet emri pasi s’dëshiron të merret më me politikë. Ka qenë njëri prej themeluesve të LDK’së.

Mik i Ibrahim Rugovës. Është plagosur më 1998 në derë të banesës në lagjen Dardania në Prishtinë.

Profesori i Letërsisë, miku dhe kolegu i Ibrahim Rugovës, Sabri Hamit , i ka dhënë fund angazhimit politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur anëtari i LDK’së, Visar Berisha.

“Pasi u propozua dhe u zgjodh pjesë e Këshillit të Përgjithshëm, Sabri Hamiti, falënderues, nuk pranoi të jetë më pjesë e rrugëtimit aktiv në LDK”, ka shkruar Berisha në një reagim në Fb.

Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950 në Dumnicë, Podujevë.

Botoi veprën e parë letrare te Rilindja e Prishtinës. Regjistroi studimet pasuniversitare me temë “Poetika e re shqipe” në Universitetin e Sorbonës, në Paris, mirëpo për mungesë parash u kthye në Prishtinë.

Nis studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, të cilat studime i kreu pas dy vitesh.

1980 Për një vit akademik specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales, në Paris. Mori Diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi frënge e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës në Paris.

1987 Doktoroi me temë nga letërsia bashkëkohore shqipe në Universitetin e Prishtinës.

1989 Hyn në lëvizjen për Pavarësinë e Kosovës, të prirë nga Ibrahim Rugova, mik i tij i studimeve.

Më vonë, shtatë herë me radhë (1992, 1998, 2001, 2004, 2007, 2010, 2014) u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa nga viti 2006 është anëtar i Kryesisë së Kuvendit .

1993 Zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu ligjërues në studimet postdiplomike të letërsisë.

1995 Si anëtar i Komisionit Kombëtar punoi për njësimin e programeve shkollore të lëndëve nacionale dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe.

Më 24 shtator 1998 persona të panjohur i bëjnë atentat në shkallët e banesës së tij në Dardani të Prishtinës. E shpëtojnë mjekët shqiptarë.

2000 Zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.

2008 Zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.

Komento: