Konferenca rajonale në Shkup “Integrimet evropiane në udhëkryq” e organizuar nga Klupi i Posgoricës ka bërë bashkë sot Ish-Presidentë dhe Kryeministra të vendeve të rajonit Kroacisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Sllovenisë.
Në një deklaratë të ish – Presidentëve të rajonit ku kanë marrë pjesë ish –Presidenti i Kroacisë Stipe Mesiq, ish –Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, Ish – Presidenti i Shqipërisë Alfred Mojsiu, ish- Presidenti i Maqedonisë Branko Crvenkovski dhe ish udhëheqës tjerë të rajonit është miratuar edhe një deklaratë ku theksohet se “ ne anëtarët e Klubit të Podgoricës shprehim gatishmërinë tonë që të bëjmë gjithçka që të parandalojmë që Ballkani Perëndimor përsëri të jetë viktimë e ideve dhe trendëve retrograde”
Klubi i Podgoricës ndër të tjera ka theksuar se është e një rëndësie të veçantë që BE të aprovojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
“Shtyrja e mëtejme e këtyre vendimeve në kontekstin e tashmë gjeopolitik dhe gjeoekonomik mund të ketë ndikim të dëmshëm edhe në nivel të brendshëm edhe në atë rajonal. Jemi dëshmitarë të sfidave të rendit global që bazohet në vlerat e përbashkëta dhe demokratike të shoqërive dhe mundësinë që ato të kenë ndikim negativ në Ballkanin Perëndimor” thuhet në deklaratën e ish-Presidentëve dhe kryeministrave.
Më pas ata kanë bërë edhe një referencë direkte në lidhje me situatën në Kosovë e në Bosnjë e Serbi duke theksuar se idetë retrograde të ndarjeve që i shkojnë kundër bashkëpunimit rajonal e që nxisin izolacionizëm, politikën e kthimit prapa dhe që bazohen në popullizëm në vend se të bazohen në vlerat e përbashkëta dhe standardet europiane, për fat të keq, nuk janë vetëm kujtime të largëta historike por përbëjnë një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor.