Ish-presidentin Bill Clinton kërcënohet nga drejtori i BIA-s serbe

10:49 | 12 June 2019

Drejtori i BIA-s serbe kërcënon ish-presidentin Bill Clinton.

Bojan Dimiç, njëri nga drejtorët e BIA-s, shërbimit të inteligjencës së Serbisë, ka kërcënuar Presidentin amerikan Bill Clinton.

Dimiçi i njohur si një prorus, kërcënimin e ka bërë hapur në profilin e tij me rastin e 20-vjetorit të fitores së NATO-s dhe UÇK-së ndaj forcave të armatosura serbe dhe ish-Republikës Federative të Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviçit.

Postimi i Dimiçit ilustrohet me foton falënderuese nga ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës në disa gjuhë.

“Falënderim ish-presidentit amerikan Bill Klintonit, i cili sapo aterroi në Aeroportin e Prishtinës. Shqiptarët i falënderohen, serbët i dëboi nga Kosova, kurse koha do të tregojë nëse ky njeri ka pasur rol kryesor në ndonjë gjykim objektiv historik të agresionit të NATO-s në Republikën Federative të Jugosllavisë!”, ka shkruar Dimiç.

Përndryshe, Bojan Dimiçi është një serb që është rritur në Prishtinë, me akuza të shumta nga shtypi serb për shumë keqpërdorime e përfshirje në akte kriminale. Në kuadër të shërbimit serb, udhëheq drejtorinë për terrorizëm e krim të organizuar.

Njëkohësisht, është drejtor edhe në klubin e futbollit beogradas “Crvena Zvezda”, i njohur në vazhdimësi për udhëheqjen nga kriminelë serbë, siç ishte dikur Zhelko Razhnjatoviç – Arkani, bashkëshorti i këngëtares së folkut serb Ceca.

Komento: