Ish-shefi i AKI-së deklarohet i pafajshëm për rastin e “Gylenistëve”

11:26 | 04 Shkurt 2026
ish-shefi-i-aki-se-deklarohet-i-pafajshem-per-rastin-e-“gylenisteve”

Ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, është deklaruar i pafajshëm për akuzat në rastin e njohur si “Gylenistët”.

Në rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, meqë pati ndryshim në përbërjen e anëtarëve të trupit gjykues, kryetarja Violeta Namani Hajra, i pyeti palët nëse qëndrojnë në tërësi pranë deklarimeve të fjalëve hyrëse. Palët deklaruan se qëndrojnë në tërësi.

Në vend të anëtarëve, Arben Hoti dhe Ngadhnjim Arrni, janë gjyqtarët Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani Hajra mori vendim që të mbyllet seanca për publikun meqë do të lexohen deklarata e ish-inspektorit të AKI-së, Shkelzen Sopjani,  meqë prokurorja speciale Habibe Salihu konsideroi që deklarata e dhënë e dëshmitarit Sopjani është konfidenciale dhe nuk duhet të jetë e hapur për publikun.

Në dhjetor të 2025-ës, në ditën kur duhej të shpallej aktgjykimi, Themelorja vendosi të rihapë shqyrtimin gjyqësor meqë ka konstatuar se duhet të grumbullohen dokumente shtesë për të arritur një aktgjykim për rastin.

Driton Gashi ishte dënuar më 2023 me katër vjet e tetë muaj burgim, porse në fund të vitit 2024, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim sa i përket pikës 1 të dispozitivit, ndërsa e ka vërtetuar lirimin e dy të akuzuarve të tjerë.

Nga aktakuza asokohe u patën liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Prokuroria Speciale pretendon se Gashi duke tejkaluar detyrën e tij zyrtare u përfshi në dëbim, përfshirë edhe në aspektet që kanë të bëjnë me dërgimin e të dëmtuarve në Turqi. Sipas aktakuzës, Gashi i paraqiti si rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës shtetasit turq, ndërkohë që ata nuk ishin të tillë.

Dëbimin e gjashtë shtetasve turq e pati kritikuar bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që atë e pati përgëzuar Turqia, e cila i akuzoi ata si pjesëtarë të organizatës së Fethullah Gylenit, që në këtë vend konsiderohet terroriste.

Gjashtë shtetasit turq janë dënuar si pjesë e lëvizjes politike të Fethuhllah Gulenit, tashmë i ndjerë. Burgimet e tyre sillen nga 7 vjet e gjysmë deri në 15 vjet.

Komento: