
Bakoyannis: Çdo ndryshim i qëndrimit të Greqisë drejt njohjes do të bazohet në zgjidhjen paqësore të situatës Kosovë-Serbi.
Ish-shefja e diplomacisë greke, Dora Bakoyannis, e cila tashmë mban pozitën e Raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, sfidat dhe pengesat drejt një rruge të tillë, dialogun Kosovë-Serbi dhe për raportet në mes të Athinës dhe Prishtinës.
Në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës thotë se ka fusha në të cilat Kosova ka bërë punë të mirë, megjithatë thekson se ka nevojë për përmirësime sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe disa fusha të tjera.
Për një marrëveshje të mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, Baokyannis thotë se e njëjta do të sillte stabilitet afatgjatë në rajon dhe do të hapte rrugën që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkoheshin fort në institucionet euro-atlantike, e që sipas ish-shefes së diplomacisë greke një gjë e tillë do të ishte një mesazh për të gjitha ata që synojnë të kultivojnë revizionizëm dhe mosmarrëveshje.
Për raportet në mes të Greqisë dhe Kosovës, Baokyannis beson se ato do të vazhdojnë të zhvillohen, derisa thotë se çdo ndryshim drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës do të bazohet në zgjidhjen paqësore të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.