Ish-ylli i Valencias thotë se e detyruan të largohen nga skuadra.
Blerja e re e Manchester City, Ferran Torres, është i zemëruar me drejtuesit e Valencias për mënyrën sesi e larguan nga klubi, duke këmbëngulur se u largua sepse klubi s’e bëri kapiten dhe as njërin prej lojtarëve më të paguar.
20-vjeçari, megjithatë, u shpreh i lumtur që i është bashkuar gjigantit anglez City, pasi dje e kompletoi transferimin nga klubi i La Ligës për rreth 25 milionë euro.
“Unë doja të qëndroja dhe ua tregova atyre kushtet e mia. Nuk ishin kushte mbi standardin e klubit”, tha Torres.
Anësori spanjoll shtoi se ndihet i pikëlluar që u largua nga Valencia, të cilës thotë t’i jetë mirënjohës pasi ishte pjesë e saj prej moshës shtatë vjeçe.
Përveç se e kishte kërkuar shiritin e kapitenit dhe rritjen e pagës, Torres kishte dashur që pronari i klubit, Peter Lim, të përfshihej në bisedime për kontratën e re.
“Doja të më plotësoheshin dy nga këto tri kushte, por asnjëri nuk u plotësua”, tha përfaqësuesi i ekipit kombëtar U21 të Spanjës.
Ai zbuloi se kishte menduar të largohej nga Valencia verën e kaluar, sepse klube nuk llogariste në të.
“Klubi më tha personalisht se nuk llogariste në mua. Ata më thanë haptazi se unë isha zgjedhja e pestë për krahun e sulmit dhe se po sillnin përforcime dhe se lojtarë nga pozitat e tjera kishin përparësi para meje”, shtoi ai.