
Ministria e Arsimit javën e kaluar ka bërë të ditur se nxënësit këtë vit shkollor nuk do të furnizohen me tekste shkollore nga ministria.
Ky vendim erdhi, pasi sipas MASHT-it, shtëpitë botuese i kanë fryrë çmimet e librave.
Por, tash është hapur në platformën online, eKosova linku ku prindërit mund të aplikojnë për sigurimin e mjeteve për blerjen e librave për fëmijët.
Për këtë formë të blerjes së librave, ka folur për Front Online ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.
Pupovci ka thënë se kjo formulë e MASHT-it do të kushtojë më shumë se sa marrëveshja me shtëpitë botuese.
“Metoda që po aplikohet tani është subvencionimi i teksteve dhe mjeteve mësimore dhe dallon nga blerja, sepse janë prindërit ata që duhet t’i kryejnë blerjet me çmimet që i caktojnë shtëpitë botuese dhe rrjeti i shitjes. Nuk ka dyshim se kostoja e subvencionimit do të jetë më e lartë sesa kostoja e blerjes përmes marrëveshjes, pasi subvencionimi zgjerohet edhe në mjete mësimore”, u shpreh Pupovci.
Ish-zëvendësministri dyshon se nuk janë përdorur të gjitha alternativat për marrëveshjen e librave.
“Shpresoj të jenë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Ministrisë dhe shtëpive botuese, pasi kjo do të rezultonte me një metodë më të pranueshme dhe më të thjeshtë të blerjes dhe shpërndarjes së librave, e cila është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi”, thotë ai për Front Online.
Pupovci: Të subvencionohen sa më shpejtë prindërit për librat e fëmijëve, përparsi të kenë ata me asistencë sociale
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se mungesa e librave nuk do të ndikojnë në shtyrjen e datës së fillimit të vitit të ri shkollor.
Pupovci për Front Online ka thënë se duhet që sa më shpejt të ekzekutohen pagesat për prindërit që kanë blerë librat.
Ai thotë se një kategori e familjeve nuk do të ketë mundësi të sigurojë tekstet shkollore për fëmijët.
“Kjo është një praktikë e re që sjellë disa të panjohura. Do të ishte më mirë sikur të ishte paralajmëruar, pilotuar dhe zbatuar më herët, por nuk besoj të ndikojë në shtyrjen e datës së procesit mësimor. Besoj se shumica e njerëzve do të gjejnë mundësi t’i blejnë tekstet dhe mjetet mësimore për fëmijët edhe para se t’iu paguhet subvencioni, por janë disa kategori të qytetarëve që këtë nuk mund ta bëjnë për shkak të shtrëngesave financiare me të cilat përballen. Prandaj është me rëndësi që pagesat të ekzekutohen sa më shpejtë, duke ju dhënë përparësi përfituesve të ndihmave sociale”, theksoi Popovci.
Subvencionimi i librave/ Ish-zëvendësministri i Arsimit: Duhet të verifikohen fëmijët, mund të ketë keqpërdorime
Dukagjin Pupovci, ish-zëvendësministri i Arsimit duke folur për Front Online lidhur me subvencionimin e prindërve për blerjen e librave ka thënë se mund të ketë edhe keqpërdorime.
Ai thotë se duhet të verifikohen fëmijët, se mund të ekzekutohen mjetet gabimisht.
“Në çdo shoqëri dhe në të gjitha rrethanat ka hapësirë për keqpërdorime. Në situatën ideale do të duhej verifikuar paraprakisht aplikimet, në kuptimin nëse fëmijët vërtetë janë të regjistruar në shkollën e specifikuar nga aplikuesi. Por, në situatën e tanishme nuk besoj se ka kushte për verifikim të tillë, prandaj mund të ndodhë që mjetet t’i paguhen edhe dikujt që nuk i ka fëmijët në shkollë. Duhet verifikuar nëse fëmija i prindit që e ka marrë pagesën është i pajisur me tekste dhe mjete mësimore”, thotë ai.
Pupovci tha se është e pritshme të aplikojnë prindër të shumtë pasi mund të kenë më shumë se një fëmijë.
Ai thotë se në këtë proces do të ketë edhe probleme e vështirësi.
“Janë rreth 210 mijë nxënës që vijojnë mësimin në klasat 1-9, prandaj është e pritshme të jenë rreth 150 mijë aplikime, duke marrë parasysh se disa prindër mund të kenë më shumë se një fëmijë të kësaj grupmoshe. Një kategori e prindërve që qëndrojnë më mirë materialisht mund të vendosin edhe të mos aplikojnë. Do të ketë edhe të tillë që kanë nevojë për këto mjete por mund të kenë vështirësi për të aplikuar, qoftë për shkak të mungesës së shkathtësive teknologjike ose të llogarive bankare”, përfundoi Pupovci.
Të hënën, zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë se deri dje në orën 09:00 janë pranuar 51 mijë e 200 aplikime në platformën eKosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.