Ish zv/ministri i Brendshëm për Banjskën: E habitshme, informatat që i kanë ndërkombëtarët janë të mjaftueshme për t’i vendosur masa Serbisë

08:33 | 15 Mars 2024
ish-zv/ministri-i-brendshem-per-banjsken:-e-habitshme,-informatat-qe-i-kane-nderkombetaret-jane-te-mjaftueshme-per-t’i-vendosur-masa-serbise


Mosvendosjen e masave kundër Serbisë lidhur me Banjskën, Bashkimi Evropian po e arsyeton  duke thënë që janë në pritje që të shohin një raport përfundimtar për hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Kjo, për ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha është e habitshme.

“Përveç publikimit dhe argumentimit publik të fakteve që e shfaqin qartë organizimin dhe sulmin terrorist kundër rendit kushtetues nga ana e strukturave paramilitare serbe që si pasojë pati edhe vrasjen e një zyrtari policor të Republikës së Kosovës, madje edhe vet Radoiçiq përmes avokatëve të tij e pranoi një organizim të tillë. Mosndëshkueshmëria e Serbisë, përkatësisht mosvendosja e masave nga ana e BE-së lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit, nga ana e strukturave paramilitare, i cili si i tillë u cilësua edhe me deklaratën e lëshuar nga shërbimi i jashtëm i BE-së menjëherë pas sulmit, është e habitshme”, u shpreh ai.

Hoxha ka thënë se faktet e bëra publike për sulmin terrorist që mund t’i kenë ndërkombëtarët, janë të mjaftueshme për t’i vendosur masa Serbisë.

E nëse s’ndodh kjo, Hoxha thotë se mundësia është që të përsëritet sulmi.

“Besojë që të gjitha faktet e bëra publike, pa i llogaritur edhe informatat inteligjente që potencialisht mund ti kenë partnerët ndërkombëtar, janë të mjaftueshme për vendosjen e masave ndaj Serbisë, nëse jo për tjetër, atëherë si preventive për mundësinë e përsëritjes së sulmeve të tilla terroriste”, u shpreh Hoxha për Front Online.

Komento: