Ish-zv/ministri i Brendshëm: Sulmi në Banjskë u paralajmërua, gracka e terroristëve nuk piu ujë

17:31 | 27 Shtator 2023
ish-zv/ministri-i-brendshem:-sulmi-ne-banjske-u-paralajmerua,-gracka-e-terroristeve-nuk-piu-uje

E diela që lamë pas ishte ditë tragjike për Kosovën.

Afër manastirit të Banjskës ndodhi një përleshje e armatosur ndërmjet Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur terrorist serb.

Ky grup terroristësh vrau zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe plagosi dy policë të tjerë.

Më pas, pas shkëmbimeve me armë zjarri mbetën të vrarë edhe 3 sulmues nga grupi terrorist serb.

Ky sulm terrorist, po konsiderohet i mirë përgatitur.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha për Front Online tha se ky kërcënim ka qenë i paralajmëruar edhe nga krerët e shtetit serbë.

“Nuk ka qenë një sulm i papritur sepse duke i pasë parasysh deklarimet dhe kërcënimet e zyrtarëve të lartë të shtetit serb, duke i prirë nga presidenti i tyre, pastaj ministri i Mbrojtjes, shefi i BIA-së, por edhe eksponentë të tjerë të politikës, qoftë edhe të Listës Serbe, akti i së dielës, e konfirmoi atë kërcënim”, u shpreh ai.

Sulmi i grupit terrorist dështoi pas përballjes me Policinë e Republikës.

Valdet Hoxha, ish-zëvendës ministër i Punëve të Brendshme, konsideron se Policia e Kosovës  tregoi përgatitje të lartë profesionale.

Ai tha se aty u konfirmua edhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.

“Kjo grackë e tyre nuk piu ujë, pra fatmirësisht me këtë reagim policia e Republikës së Kosovës dhe vet shteti i Kosovës, përveç të drejtës ligjore, e konfirmoi edhe përgatitjen e lartë profesionale dhe e konfirmoi koordinimin shumë të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, e konfirmuar kjo edhe nga Kfori, Eulexi dhe mekanizmat tjerë”, tha ai për Front Online.

Ai thotë se në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, duhet të dijë Kosova që ka të bëjë me terroristë

“Duhet të kemi parasysh kjo në tavolinën e bisedimeve, që kemi të bëjmë me një shtet ose organizon sulme terroriste, ose menaxhohet nga organizatat terroriste të cilat nuk i ka  nën menaxhim”, tha ai.

 

 

Hoxha: Policia e Kosovës më të trajnuarat, tejet profesionale përballja me terroristët

 

Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka lavdëruar Policinë e Kosovës për profesionalizimin e lartë të treguar në ballafaqimin me grupin terrorist serb, në Banjskë të Zveçanit.

Për Hoxhën, Policia e Kosovës është një nga më të trajnuarat.

“Policia e Republikës së Kosovës po vazhdon ta konfirmojë faktin se është  në top organizatat më mirë të trajnuara, dhe profesionalisht të ngritura në nivelin që jo vetëm e bën numër 1 në vend, por tashmë është konfirmuar edhe si një organizatë policore, shumë e përgatitur, edhe në nivel rajonal, do të thotë ka konfirmime dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë duke e quajtur zmbrapsjen e sulmit terrorist nga ana e policisë së republikës së Kosovës si një organizim tejet profesionale dhe i mirë koordinuar me partnerët tjerë të sigurisë”, u shpreh ai për Front Online.

 

 

Sulmi në Banjskë/ Hoxha: Nëse jo me direktiva të Vuçiqit, i bjen që Radoiçiqi i ka dalë dorësh

 

Në krye të grupit terrorist serb, të cilët vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe plagosën dy policë të tjerë, thuhet se ishte nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një video të incizuar me dron, ku shihet Radoiciqi i armatosur në Banjskë.

As Lista Serbe, partia që ka mbështetjen e Beogradit, e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.

E, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha për Front Online nuk përjashton mundësinë që Radoiciqi i ka dalë nga “dora” presidentit serb.

Ai thotë që Radoiçiqi provokoi fillimin e luftës në rajon.

“Në variantin e parë, do të ketë gisht edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, në qoftëse jo siç ai po pretendon, duke pretenduar ta sheh si një aksion të qytetarëve të Kosovës të rebeluar, atëherë prania e Radojiçiqit, kolegut të Veselinoviqit e konfirmon faktin që nëse jo me direktiva të Vuciqit, atëherë ai tashmë i ka dalë dorësh Vuiçiqit, dhe ndikimi i tij është aq i madh në shtetin e Serbisë, saqë ka provokuar fillimin e një lufte rajonale”, tha ai për Front Online.

 

Sulmi në Bansjkë të Zveçanit, Hoxha thotë që është e përfshirë edhe Rusia.

“Nuk mund t’i ikë as Vuçiqi, e as Vulini, as eksponentë të tjerë të lartë të shtetit të Serbisë, skenarit të mirë organizuar dhe të mirë menduar për hapjen e një konflikti të ri, natyrisht besojmë që këtu ka dorë edhe Rusia, të cilës tashmë dihet botërisht i konvenon hapja e një pike të re konflikti në Evropën Juglindore, konkretisht në Ballkan për ta larguar vëmendjen nga lufta e padrejtë dhe agresioni i padrejtë që po bëhet ndaj shtetit të Ukrainës”, u shpreh ai.

 

 

Hoxha për Listën Serbe: Nëse vërtetohet fajësia, shteti i Kosovës ka bazë ta fut në listën e partive të ndaluara

 

Për shkak të pjesëmarrjes së nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojeçiq, në sulmin në Banjskë, po kërkohet që kjo parti të shpallet organizatë terroriste.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha tha për Front Online se Kosova ka bazë të mjaftueshme ta marrë këtë vendim.

“Tashmë është konfirmuar që kanë filluar hetimet për vepra terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues, është konfirmuar edhe prania e nënkryetarit të Listës Serbe, në qoftëse do të vërtetohet fajësia e tyre, natyrisht ka një bazë të mjaftueshme që shteti i Kosovës natyrisht KQZ si organ vendimmarrës ta fut në listën e partive të ndaluara. Nuk munden të veprojnë si të tilla në qoftë se nënkryetari apo çdo anëtar i saj organizon madje kryen sulme terroriste”, tha ai për Front Online.

 

Hoxha: Grup terrorist në Banjskë ishte i financuar mirë, është e mundur që të ndërhyjnë edhe grupe të tjera kriminale

Arsenal armësh është konfiskuar në aksionin policorë pas sulmit që ndodhi në Banjskë të Zvecanit.

Ish -zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha tha që tregon se është grup i financuar mirë.

“Sasia e tillë e armatimit të sekuestruar nga Policia e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat të tjerë të sigurisë, e konfirmon faktin që nuk është një grup spontan dhe nuk ka qenë një grup spontan, pra është një grup i mirë organizuar, i mirë financuar dhe i mirë trajnuar nga strukturat profesioniste, dhe kjo u konfirmua edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai për Front Online.

Hyrja e këtyre armëve brenda shtetit të Kosovës, Hoxha thotë që është e mundur për shkak të vijës së gjatë kufitare që Kosova e ka me Serbinë.

Ai nuk përjashton mundësinë të ndërhyjnë grupe të tjera kriminale.

“Por që duke pasë parasysh specifikat e rajonit të asaj pjese, dhe vijën e gjatë kufitare, hyrja e sasive të ndryshme të armatimit fatkeqësisht është e mundur dhe po besoj që është ende është e mundur që të infiltrohen dhe të ndërhyjnë edhe grupe të tjera kriminale brenda Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Republika e Kosovës e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi serbët e Kosovës.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.

 

Komento: