Ish zv/ministri i Kurtit: Drafti për Asociacionin që u publikua nuk duhet të pranohet, është Dërrzhavë serbe brenda Kosovës

18:46 | 14 Nëntor 2023
ish-zv/ministri-i-kurtit:-drafti-per-asociacionin-qe-u-publikua-nuk-duhet-te-pranohet,-eshte-derrzhave-serbe-brenda-kosoves

Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, të shtunën ka publikuar disa pika të draft-statutit evropian për Asociacionin.

E pikërisht për këtë ka reaguar ish zv/ministri i Arsimit në Qeverine “Kurti 1”, Jusuf Thaçi.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë që nëse është i vërtetë ai draft, atëherë sipas tij nuk quhet Zajednicë, por Dërrzhavë serbe brenda Kosovës.

“Nëse draft-statuti i Asociacionit i publikuar nga z. Ramadani është i vërtetë, atëherë ky entitet më nuk mund të quhet Zajdenicë, por Dërrzhavë serbe brenda Kosovës. Uroj e shpresoj që diçka e tillë nuk do të pranohet assesi nga qeveria e Kosovës!”, u shpreh ai.

Ai thotë që pranimi i marrëveshjeve është detyrim ndërkombëtarë pavarësisht palës tjetër.

E nëse nuk zbatohet, Thaçi thotë se vendi mund të vihet nën sanksione.

“Loja e qeverisë duke e pranuar në parim Zajednicën, me shpresën se Serbia nuk e pranon dhe prandaj dështon zbatimi i saj, është lojë infantile dhe e rrezikshme. Kur shteti pranon diçka, ajo bëhet detyrim ndërkombëtar për shtetin, pavarësisht veprimeve të palëve të tjera. Për pasojë, shteti vihet nën sanksione dhe nën presione ndërkombëtare nëse diçka e pranuar nuk zbatohet. Jo Dërrzhavë serbe brenda Kosovës”, shkruan ai.

Sipas Ramadanit, në draft-statutin e Asociacionit janë 45 nene, dhe se Serbisë i ofrohen mundësi të funksionojë brenda Kosovës.

Ai thotë se organet e Asociacionit do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore që janë financuar nga Serbia.

Komento: