Michael Carpenter kërkon të “blihet” marrëveshja Kosovë me 10 -15 miliardë dollarë.
Ish-zyrtari amerikan në Pentagon i ngarkuar me çështje të Ballkanit Perëndimor vlerëson se Bashkësia Ndërkombëtare nuk është e angazhuar sa duhet kur bëhet fjalë për investimet në Ballkanin Perëndimor, veçmas në pjesën që ka të bëjë me zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Kjo duhet të jetë diçka e madhe, pra jo një miliard ose dy miliard, por 10 -15 miliardë për stabilizimin e rrethanave Serbi –Kosovë” thotë ai. Carpenter nuk sheh klimë të favorshme për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet palëve për shkak të zgjedhjeve që do të ndodhin shpejt në të dyja vendet.
Michael Carpenter, një ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes përgjegjës për Rusinë, Euroazinë dhe Ballkanin ka thënë se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, si dhe ato në Serbi më 2020 mund t’i ngadalësojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës.
Carpenter gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” ka thënë se sezoni i zgjedhjeve është moment i keq për diskutime mbi marrëveshje ndërkombëtare.
“Kosova nuk ka kryeministër dhe kjo është pengesë e madhe, kurse koha e zgjedhjeve është e përshtatshme për ata që kanë qëndrime të forta politike, andaj është periudhë e keqe për arritjen e marrëveshjeve. Nuk mund të them se marrëveshja është e pamundur, por duket pak e besueshme”, u shpreh Carpenter.
Sipas tij, mundësitë e brendshme politike në Serbi dhe Kosovë janë të atilla që ideja e shkëmbimit të territorit mund të ketë sukses, por ende nuk ka ardhur deri tek ajo, në Kosovë e as në Serbi.
“Nëse nuk funksionon ideja e shkëmbimit të territorit mes Serbisë dhe Kosovës, nuk shoh se cili është plani B”, shtoi Carpenter duke theksuar se Serbisë duhet t’i ofrohet diçka konkrete dhe më e shpejtë se anëtarësimi në BE për njohje të pavarësisë së Kosovës.
“Nuk besoj se vazhdimi i dialogut, ashtu siç e udhëhoqi Federica Mogherini, ka sjellë diçka konkrete. Mendoj se Serbia, nëse dëshiron ta tejkalojë atë barrierë dhe ta njohë Kosovën, duhet të fitojë diçka konkrete, diçka që banorët e saj do ta konsiderojnë të vlefshme”, tha ai, por pranoi se diçka e tillë “ende nuk është në tavolinë”.
Carpenter ka theksuar se administrata e tanishme amerikane dëshiron ta shfrytëzojë çdo mundësi për arritjen e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës.
“Por, në fund do të bazohen në pajtimin e lojtarëve të mëdhenj, mes të cilëve është Amerika dhe BE, dhe në marrëveshja të arritur nga liderët në terren, që nuk do të jetë aspak e lehtë, marrë parasysh kush është në qeverisje në Uashington”, u shpreh ai.
Duke përmendur rolin e Rusisë, Carpenter ka thënë se nga “perspektiva e Moskës është më mirë të zgjidhet konflikti mes Kosovës dhe Serbisë sepse kjo i lejon Rusisë të paraqitet si kujdestar i interesave të Serbisë dhe kundërshtar i Kosovës”, vazhdoi ai. Carpenter ka bërë kritika të reja drejtuar shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq për thirrjen e diasporës serbe të votojnë presidentin Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme në SHBA.
“Daçiq mund ta mbështesë kë do që dëshiron, është e drejtë e tij. Unë vetëm nuk mendoj se është veprim i menqur diplomat që ministri i jashtëm i Serbisë të shfaq shpresën e tij për një parti politike në SHBA. Rreth Serbisë dhe Ballkanit Perëndimit në përgjithësi në Amerikë ekziston konsensus i palëve dhe mendoj se për Serbinë është më mirë të mbetet ashtu dhe të mos politizohet diçka”, tha Carpenter.
“Unë vetëm shtroj pyetjen sa është veprimi i Daçiqit i menqur, e ai mund ta mbështes kë do që dëshiron. Nuk e di nëse do ta dëgjojnë serbët në Amerikë, por mund të bëjë çka do që dëshiron”, përfundoi ai.