Kosova dhe Serbia janë duke u përgatitur për fazën finale të dialogut mes vete.
Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, James Hooper, ka thënë se Kosova duhet të bëjë kujdes të madh, pasi që presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk është shumë i interesuar për të mbrojtur Kosovën, siç e kanë bërë dikur demokratët.
Sipas tij rrezik edhe më i madh përbën fakti që Kosova në kufirin verior të saj ka një prej fqinjëve më armiqësorë.
“Ky president nuk është aq i përkushtuar për mbrojtjen e Kosovës, për t’u bërë mburoja e Kosovës siç ishte Partia Demokrate, apo republikanë të tjerë, prandaj është një situatë më e rrezikshme për Kosovën, sepse është e rrezikshme të kesh një fqinj armiqësor në kufirin verior në një kohë kur nuk mund ta marrë si të mirëqenë të njëjtën mburojë, një ombrellë sigurie nga ana e Amerikës”, ka thënë ai, në një intervistë për Zërin e Amerikës, transmeton Express.
Prandaj sipas Hooper duhet të shfrytëzuar mundësia për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo të paktën të ketë një zbutje të armiqësisë ndërmjet dy vendeve.
“Prandaj kjo është një mundësi e shkëlqyer, madje jashtëzakonisht e nevojshme për të negociuar një fund të armiqësisë, ose të paktën një reduktim të ndjeshëm të armiqësisë, sepse e tillë është situata”, potencon ai.
Sa i përket Mathew Palmer, Hooper thotë që ai po bën përpjekje për të zhbllokuar tutje dialogun, pasi që SHBA-ja mendon që është momenti historik për të arritur një marrëveshje finale.
“Mendoj se Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer po përpiqej të inkurajonte lëvizjen përpara të negociatave. Ato kanë ngecur muajt e fundit për shkak të situatës me tarifat, por mendoj se Shtetet e Bashkuara, qeveria amerikane e kupton se ky është një shans historik për Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje. Dhe kjo nuk kuptohet mirë nga politika e Kosovës në përgjithësi, ndoshta as nga populli i Kosovës. Këto janë negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që Kosova dhe Serbia të krijojnë një marrëdhënie që nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Është shumë e rëndësishme që kosovarët ta kuptojnë se në vitin 2016, një realitet i ri u krijua në Shtetet e Bashkuara, me zgjedhjen e Presidentit Trump”, është shprehur ai.
Ndërkohë për të zhbllokuar situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë vënë në lëvizje edhe Gjermania e Franca, me ftesën e të cilave do të takohen liderët e Kosovës dhe Serbisë në Berlin me 29 prill.
Foto: James Hooper