“Islami e ndalon dhunën ndaj gruas, ajo është amanet”, çka deklaronte dikur hoxhë Mjekiqi që u denoncua për dhunë ndaj gruas së tij

09:42 | 23 December 2022

Kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq, imami Behar Mjekiqi, ka përfunduar në Polici më 20 dhjetor, pasi u denoncua nga gruaja me të cilën bashkëjetonte, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë në familje. Mjekiqi po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht partneren e tij, duke e tërhequr zvarrë dhe më pas e ka dëbuar nga shtëpia. Imami dhe viktima e cila është nga Maqedonia e Veriut kanë qenë në lidhje dashurie që një kohë, por mosmarrëveshjet mes tyre eskaluan dhe për pasojë rasti përfundoi në Polici.

Mjekiqi në një nga intervistat e tij kohë më parë, kishte deklaruar se është kundër dhunës, duke thënë se njeriu nuk mund ta justifikojë dhunën e ndodhur, me arsyetimin se nuk ishte vetvetja.

“Duhet mbajtur veten nën kontroll. Islami thotë nëse je shumë nervoz e je në kambë ulu, e nëse je ulë e nuk të kalon lëviz, nëse nuk kalon merr abdes, falu namaz. Na nuk i kemi këto rregulla, prej nervozës kalojmë në diçka tjetër pastaj justifikohemi nuk kam qenë vetvetja, por nuk është e vërtetë. Po të mos ishte vetvetja do të përfundoje në izolim e psikiatri, e jo me nejt në burg tu lu shah me thanë valla s’kam qenë vetvetja”, deklaronte dikur Mjekiqi.

Sipas tij, gruaja është amanet dhe nuk duhet të rrahet e lëre më të vritet.

“Gruan e ke amanet e ka lind dikush e ka eduku, ty ta ka dhuru e ti e ke marrë atë në amanet. E ti një ditë e vran. Pse? Që s’ta ka la një tesh? Është e ndalume njeriu me ushtru dhunë. Vet profeti i ka ndihmu gruas vet. E ti gruan tënde po e merr si person i gradës dytë. Nuk është marre me i ndihmu grusë tande. Unë nuk besoj që ndodh dhunë për një kafe a për një tesh”.

Ndryshe, sipas informacioneve të para, rasti është denoncuar në Polici mbrëmjen e së martës, kur viktima e cila po qëndronte në fshatin Mazgit, në shtëpinë e të dyshuarit kishte kërkuar ndihmën e Policisë. Në deklaratën e saj që e kishte dhënë para hetuesve thuhej se Mjekiqi e ka lëshuar nga shtëpia në të cilën kishin jetuar, për motive ende të panjohura.

Policia kishte intervenuar, por fillimisht nuk e kishte gjetur imamin në shtëpi, teksa viktima ishte shoqëruar në stacion policor, për t’u intervistuar nga hetuesit mbi atë që kishte ndodhur në shtëpinë e imamit.

Siç mëson Sinjali, Mjekiqi ishte paraqitur vet në stacion policor, ku ka dhënë versionin e tij dhe është përballur me denoncimin për dhunë në familje. Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka vendosur që ta lë të lirë Mjekiqin dhe ndaj tij është iniciuar rasti për dhunë në familje.

Në anën tjetër, viktima ka kërkuar ndihmë nga Policia për t’u larguar nga Kosova, me ç’rast një njësi policore e ka përcjellë deri në hyrje të autostradës Prishtinë – Shkup.

Kujtojmë se Sinjali ka kontaktuar disa herë Mjekiqin, por i njëjti ka vendosur të hesht dhe nuk është përgjigjur në asnjë telefonatë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Komento: