Qindra serb nga Kosova mëngjesin e sotëm janë nisur në këmbë për në Beograd, për të marrë pjesë në mbledhjen që pritet të mbahet më 12 prill, me rastin e themelimit të Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin, të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e paralajmëroi ditë më parë.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami ka shkruar se serbët e Kosovës po detyrohen nga Milan Radoiçiqi dhe Lista Serbe që të shkojnë në Beograd.
Ai tutje ka shtuar se ky presion ndaj tyre nuk është hera e parë. Islami ka theksuar se në protestën e fundit para presidencës në Beograd që u mbajt më 15 mars 2025, të njëjtët njerëz, disa me maska, ishin aty te paguar nga 100 euro në ditë nga Radoiçiqi.
“Ishin të njëjtët ata që janë parë edhe në veri të Kosovës, kur janë sulmuar KFOR-i, Policia e Kosovës dhe gazetarët. Nuk është kjo dashuri për Vuçiqin. Është frikë. Është manipulim. Është abuzim politik me një komunitet që po mbahet peng”, ka shtuar njohësi i çështjeve të sigurisë.
Islami tutje në postimin e tij ka cekur se së fundmi kemi parë që numër i madh i qytetarëve serbë në Kosovë po e kuptojnë lojën e presidentit serb, i cili iu premtua 20000 dinar në këmbim të votës për Listën Serbe, para të cilat nuk i morën.
“Janë të zhgënjyer nga premtimet boshe, sidomos ato për punësime dhe beneficione që u premtuan para zgjedhjeve në këmbim të votës për Listën Serbe. Së fundmi ata protestuan para institucioneve ilegale për një konkurs, tq cilin Serbia s’pati qare pa e anulua”, ka shkruar Islami.