
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka akuzuar dy qeveritë e fundit të Kosovës, atë të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe atë të udhëhequr nga Albin Kurti, se janë nënshtruar para veprimeve të Serbisë në dëm të Kosovës si dhe se e kanë lejuar cenimin e sovranitetit të shtetit.
Sipas tij, këto dy qeveri kanë lejuar Serbinë të depërtojë në Kosovë me teste, pastaj me personel shëndetësor e edhe me vaksina anti-COVID. Të premten presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se kanë nisur vaksinimin e serbëve në Kosovë, ndërsa të shtunën Qeveria mohoi se “në rrugë zyrtare kanë hyrë vaksina të tilla anti-COVID”.
Në konferencën e mbajtur të shtunën, Ismaili ka thënë se vaksinimi kundër COVID-19 në veri të Kosovës nga ana e Serbisë është goditje për sovranitetin e shtetit dhe fyerje për qytetarët.
“Kjo është hera e tretë, në pak muaj, që Serbia, në emër të pandemisë, cenon sovranitetin e shtetit tonë. Është hera e tretë që dy Qeveritë e kaluara, Hoti dhe Kurti, u nënshtruan para veprimeve të Serbisë dhe në dëm të Republikës së Kosovës. Kjo mënyrë e depërtimit të Serbisë në Kosovë – një herë me teste, pastaj me personel shëndetësor, e sot edhe me vaksina, shpërfaq strategjinë e Serbisë, që përmes pandemisë, ta shkelë dhe dobësojë sovranitetin e Kosovës dhe ta avancojë agjendën e saj kundër shtetit tonë. Me tolerimin dhe me heshtjen e dy Qeverive të kaluara, hap pas hapi, Aleksandar Vucic po e portretizon Serbinë si humaniste – duke tentuar që para botës ta mbulojë të kaluarën e saj gjenocidale në Kosovë”, ka thënë ai.
Ismaili ka thënë se dy kryeministrat, Hoti dhe Kurti, “u strukën para Vucicit dhe hoqën dorë nga sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës, për të cilin u sakrifikua shumë, nga shumë breza”.
“Është irrituese për qytetarët tanë të shohin se si një Qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë, vaksinon kundër Covid-19, e qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më të voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës”, ka thënë ai.
Ismaili ka kritikuar Qeverinë Hoti për vonimin e sigurimit të vaksinës kundër koronavirusit.
“Me mosveprimet e saj, Qeveria Hoti po rrezikon që shteti i Kosovës ta fillojë vaksinimin i fundit në Evropë dhe ta përfundojë vaksinimin i fundit në Evropë. Në terma kohorë, i bie që vaksinimi të fillojë në vitin 2021 dhe të përfundojë dikur vonë në vitin 2022. Qeveria Hoti, me papërgjegjësinë totale ndaj pandemisë, dhe pa plan të veprimit, po i lë qytetarët tanë të përballen pa fund me izolimin d dhe masat restriktive. Mos-sigurimi i vaksinave për gjithë qytetarët e Kosovës ka pasoja shëndetësore dhe pasoja ekonomike gati të pallogaritshme dhe tejet të rënda”, ka shtuar ai. “Mungesa e vaksinave, fatkeqësisht, i lë qytetarët tanë të përballen me mbylljen pa afat, i lë punëtorët shëndetësorë çdo ditë të ekspozuar ndaj rrezikut, dhe thellon krizën drejt falimentimit ekonomik. Ky është tregues i qartë i paaftësisë, mungesës së vizionit, mungesës së përkujdesjes dhe papërgjegjësisë së plotë të këtyre njerëzve ndaj shëndetit, ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë”.