Munishi i lumtur me fitoren ndaj Dritës, e cilëson të merituar dhe ka një dedikim për tri pikët.
Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi u deklarua i kënaqur pas fitores në udhëtim te Drita, teksa ka një dedikim për tri pikët e sotme.
Prishtina ka fituar me rezultat 2-1 në udhëtim te Drita në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 12-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, falë dy golave në shtesë nga Shefit Shefiti dhe Leutrim Kryeziu.
Kjo fitore në udhëtim dhe me rikthim i ka pëlqyer trajnerit të mysafirëve, Ismet Munishi, i cili e ka cilësuar si të merituar, teksa ia ka dedikuar fitoren tifozit të ndjerë të Plisave, “Qelit”, i cili ka mbushur 15 vjet nga vdekja e tij.
“Ishte një ndeshje e vështirë, pasi Drita është skuadër e mirë, shumë e përgatitur dhe që luan futboll të mirë. Ne luajtëm mirë, luftuam shumë dhe në fund arritëm një fitore të vlefshme”, ka thënë fillimisht Munishi pas ndeshjes.
“Fitoren ia dedikoj Qelit dhe Plisave, por fitorja i dedikohet Qelit i cili e ka përvjetorin”, shtoi trajneri prishtinas.
“Me angazhimin, përkushtimin dhe luftën që kemi bërë, e kemi merituar fitoren sot”.
“Lufta për titull? Është herët, por nëse nuk na ikin skuadrat e kreut dhe nëse përmirësohet loja dhe ekipi gjatë dimrit, mund të kemi shpresa. Shpresat janë gjithmonë”, përfundoi trajneri i bardhekaltërve.