Telekomi ka shkarkuar disa zyrtarë nga menaxhmenti i shitjes.
Kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi ka shkarkuar nga detyra një pjesë të menaxhmentit të shitjes në këtë ndërmarrje.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga vetë Istrefi, i cili nuk ka dashur të përmend emra, por që ka thënë e se Drejtori i Departamentit të shitjes Demir Limaj nuk është shkarkuar, mirëpo janë duke diskutuar që ta gjejnë një zëvendësim për të.
“Jemi në përfundim të procesit, nuk kisha dashtë më u leshu me emra të përveçëm, nuk është vetëm shitja por ka edhe menaxherë regjional, ka edhe menaxherë të nivelit të lartë që janë afër zyrës së kryeshefit. Jam i interesuar që të rikthehet një aktivitet i punës dhe jo me ra në gjumë. Një pjesë bukur e madhe e menaxhmentit të shitjes janë shkarkuar, janë emëruar disa të rinj, kanë marr obligim dhe përgjegjësi që të ngjallet shitja dhe aktivitete e punës në sektorin e shitjes”, ka thënë Istrefi.
Siç ka thënë Istrefi, Limaj është i angazhuar edhe si profesor në Universitetin e Prizrenit dhe sipas ligjit është konflikt interesi që t’i mbajë dy poste.
“Demiri e ka kryer një punë jashtëzakonisht të madhe e ka kryer punën e tij zakonisht mirë, nuk është shkarkuar. Ai është i angazhuar si profesor në Universitetin e Prizrenit, dhe sipas ligjit është një konflikt interesi me a mbajt edhe pozitën e drejtorit edhe atë që e ka. Mirëpo shkarkim nuk ka, jemi duke diskutuar me Drejtorin e Shitjes që ta gjejmë një zëvendësues që i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për të vazhduar tutje me aktivitetet e përditshme të Telekomit të Kosovës, mirëpo nuk është I shkarkuar”, ka thënë Istrefi.