
Italia e mirëpret rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Italia e ka mirëpritur rifillimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, njofton Klan Kosova.
Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë me anë të një njoftimi për media ka bërë të ditur se ky shtet e mirëpret video-konferencën e sotme në Bruksel e cila shënon rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian
“Duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur italiane për aspiratat legjitime evropiane të Kosovës dhe Serbisë, ne inkurajojmë të dy palët që të punojnë në mënyrë konstruktive dhe me qasje largpamëse, në përputhje me perspektivën e tyre evropiane”.
“Ne mbështesim lehtësimin e udhëhequr nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë që garanton paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe mirëpresim çdo nismë që synon fuqizimin e përpjekjeve të PPBE-së Lajcak”, thuhet në njoftim.