Italia raporton numrin më të ulët të të prekurve me koronavirus që nga 10 marsi

18:51 | 05 May 2020

Italia ka raportuar numrin më të ulët të të infektuarve me Covid-19 që nga data 10 mars.

Janë raportuar 236 vdekje që kanë ndërlidhshmëri me koronavirusin në 24 orët e fundit, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë italiane në konferencën e përditshme të martën.

Kështu, shifra totale e viktimave nga sëmundja Covid-19 në vend ka arritur në 29,315. Italia tashmë radhitet në vendin e tretë në listën e shteteve për nga numri i vdekjeve të shkaktuara nga virusi pandemik. Britania e Madhe, me rastet e paraqitura të martën, ka arritur numrin e viktimave në rreth 30 mijë.

Përgjatë konferencës së përditshme të përditësimit të informacioneve statistikore për koronavirusin, u bë e ditur se shteti evropian në periudhën e fundit një-ditore ka raportuar 1,075 raste. Kjo është shifra më e ulët e infeksioneve që janë paraqitur në Itali, që prej 10 marsit, periudhës kur vendi zgjeroi masat e emergjencës së shëndetit publik. Bilanci total i të infektuarve ka arritur në 213,013 të diagnostikuar me virusin ngjitës.

Numri i rasteve aktive në shtetin e Gadishullit Apenin tanimë ka arritur në 98,467. Vetëm 1,427 janë në gjendje kritike, të cilët po trajtohen në repartet e kujdesit intenziv në spitalet italiane.

Italia që nga dita e djeshme ka relaksuar masat e ndërmarra për koronavirus. Ajo tashmë ka lejuar shërbimin “takeaëay” në restaurante, në një përpjekje që të rivitalizojë ekonominë në vend. Italianët gjithashtu janë lejuar të vizitojnë të afërmit e tyre, për herë të parë pas dy muajsh izolim.

Bilanci total i të infektuarve me virusin tejet ngjitës në botë ka arritur në 3,687,676, derisa janë raportuar 255,138 vdekje, sipas të dhënave të platformës Ëorldometer. I njëjti burim, i cili i përditëson të dhënat në kohë reale, bën me dije se 1,220,630 pacientë janë rikuperuar nga sëmundja.

Komento: