Policia dje arrestoi gjashtë persona dhe konfiskoi 12 kilogramë marihuanë në disa lokacione nëpër vend.
Por, gjatë kontrollit në një lokacion, Policia tha se një i dyshuar tentoi t’u ikte atyre duke kërcyer nga një lartësi e shtëpisë.
Për pasojë, i dyshuari kishte pësuar lëndime.
E ky i dyshuar doli të ishte vëllai i anëtares së LDK-së, Shqipe Pantina.
Kjo e fundit foli për rastin, duke thënë se vëllai i saj s’tentoi të ikte nga policia, por ishte gjysmë i përgjumur dhe e ngatërroi daljen nga dhoma.
“Është e vërtetë se ai ka pësuar lëndime serioze dje, por është e vërtetë se ai nuk ka tentuar të i ikë arrestimit. Gjysmë i përgjumur (në jerm) ai ka ngatërruar daljen nga dhoma”, është shprehur Pantina, transmeton Klankosova.
Tutje, ajo tha se vëllai i saj është jashtë rrezikut për jetë por ka lëndime serioze të boshtit kurrizor.
Ndër të tjera, ajo tha se është e vërtetë që shtëpia e vëllait të saj është bastisur dje nga Policia, “por është e vërtetë se aty NUK është gjetur ASGJË, këtë e ka vërtetuar sot edhe Gjykata”.
“Vëllai im nuk akuzohet për asgjë”, potencoi ish-deputetja Shqipe Pantina.