
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Nait Hasani ka reaguar lidhur me manipulimin e votave ku nga procesi i rinumërimit të disa vendvotimeve atij i janë larguar deri më tani 3 mijë e 414 vota.
Sipas tij, procesi ka shkaktuar cenim të rëndë të vullnetit të lirë të qytetarëve dhe manipulim të emrit të tij.
“Me atë që pash në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik”, ka shkruar Hasani.
Ai refuzon çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve dhe siguron se qëndron pranë demokracisë dhe transparencës.
“Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit. Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat”, u shpreh Hasani.
Hasani thekson gjithashtu rëndësinë e drejtësisë dhe përkushtimin e tij për të mbrojtur të ardhmen demokratike të vendit.
“Drejtësia nuk duhet të heshtë. As unë nuk do të hesht. Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarëve, në anën e votës së lirë dhe në anën e së vërtetës, edhe nëse kjo rrugë është më e vështirë. Ky reagim nuk është për të mbrojtur vetëm emrin tim, por për të mbrojtur të ardhmen demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai. /Telegrafi/