Iu përmend emri në “Aferën e Fajdeve”, ja çka thotë Xhavit Haliti

15:55 | 25 May 2019

Xhavit Haliti flet për “Aferën me Fajde”

Themeluesi i PDK-së, Xhavit Haliti, i përmendur në “Aferën e Fajdeve”, ka thënë se kushdo që e ka lënë të pushojë një lëndë nga vitit 2013 duhet të ndiqet penalisht.

Ka thënë se gjithë zingjiri në Polici e Prokurori duhet të japin llogari pse e kanë lënë kaq gjatë një lëndë e nuk e kanë hetuar.

“Kush e ka ndaluar lëndën, është problem në vete. Unë besoj që i gjithë zinxhiri i cili ka ndikuar që kjo lëndë të mos procedohet, duhet të ndiqet penalisht. Sikur diçka e tillë të ishte e vërtet, unë do të përgatitsha ndryshe, do të flisja ndryshe, pasi jam përfaqësues i votuar i Popullit. Është ofendim për qytetarët, e për popullin, e për ata që më kanë votuar, që t’i përfaqësojë në Kuvendin e Kosovës, po të isha i implikuar në këto çështje”, ka thënë Haliti për periskopin.

“E gjithë kjo s’është asgjë tjetër, veç një lufte speciale kundër nesh”, ka shtuar ai.

Ai ka hedhur dyshime se mediat e sponsorizuara po bëjnë lajme të tilla. Por, nuk ka ofruar asnjë fakt për këtë dhe nuk ka treguar nëse në këtë skandal është përfshirë ndonjë grup brenda PDK’së, në kohën kur po mbahen zgjedhjet partiake.

“Ky është një instrumentalizimi i mediumeve, i paguar, i sponsorizuar, por nuk e di nga kush. Të akuzosh viktimën, veç tek ne ndodh kjo. Analizojeni se kush është viktima në këtë rast. A i kanë pyetur ata, nëse janë të implikuar në këtë çështje të korrupsionit, e jo të fajdeve, siç po u thoni. Korrupsioni është kërkim lekësh. Dikush ka kërkuar lekë në emrin tim e të Kadriut për t’iu mundësuar shit-blerje. Unë nuk e di se kush çka ka blerë”, ka thënë ai tutje.

Haliti ka treguar se s’është hera e parë që dikush keqpërdor emrin e tij.

“Kam pasur edhe raste të tjera kur njerëzit ose mashtruesit kanë keqpërdorur emrin tim. Kjo s’është hera e parë. Por, për këtë rast opinioni duhet informuar realisht. Nëse dikujt s’i pëlqen Xhavit Haliti, apo Kadri Veseli, hajde ta degradojmë politikisht e me argumente, por të na implikosh në çështje të grupit kriminal, nga i pari deri tek i fundit, sepse ata e kanë incizuar njëri tjetrin, kanë bërë dosje ndoshta për të na bërë shantazh edhe neve. Por t’i thuash se je implikuar në fajde, dikujt që s’ka lidhje në atë punë. Askush deri më sot s’ka thënë që Xhavit Haliti ka dhënë fajde. Askush s’mund të thotë se i kam dhënë apo i kam marrë para me fajde. S’jam pjesë e asnjë grupi unë. pse kjo urrejtje patologjike ndaj dy figurave të PDK’së, veçanërisht kohën e fundit.”, ka deklaruar Haliti.

Komento: