
Në dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për Jeffrey Epstein përmenden edhe dy ish-presidentë të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Dosjet, të publikuara në fund të janarit dhe që përfshijnë mbi tre milionë dokumente, lidhen me financierin amerikan të dënuar për trafikim dhe abuzim seksual të vajzave të mitura.
Në një e-mail të vitit 2012, dërguar në adresë të Epsteinit, përmendet presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kontekst të një vizite në Nju Jork.
Këshilltarja e Atifete Jahjagës, Valentina Abazi, i ka thënë KOHA-s se Jahjaga “asnjëherë nuk e ka takuar, kurrë nuk ka kërkuar takim me të dhe as nuk e ka ditur kush është” Epstein.
Në dokumente përmendet edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli përmes një e-maili tjetër të Daniel Siad, me titull “Kush është Behgjet Pacolli?”.
Po ashtu, edhe Pacolli ka mohuar çdo lidhje me Epsteinin.
“Askurrë nuk jam takuar, as nuk kam komunikuar dhe as nuk kam qenë ndonjëherë në pronat e tij”, ka deklaruar Pacolli për KOHA-n.
Ai ka shtuar se vetëm tani ka dëgjuar për ekzistencën e Epsteinit, pas publikimit të dokumenteve.
Dosjet përmendin edhe figura të tjera ndërkombëtare dhe zbulojnë korrespodenca të ndryshme lidhur me udhëtime dhe takime.
Në qendër të vëmendjes së dokumenteve janë edhe emra të njohur të politikës botërore.
Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019, derisa ndodhej në burg, duke lënë pas një nga skandalet më të mëdha seksuale në SHBA, dhe jo vetëm./KOHA