
Gazetarja Ardiana Thaçi-Mehmeti ka reaguar pasi të dhënat e saj personale janë shpërndarë në një grup në rrjetin “Discord”, që numëron 70 mijë anëtarë.
Në reagimin e saj, Thaçi-Mehmeti tregoi se pak pas orës 22:00 është vërshuar me thirrje prej “burrave të frustruar”.
“Burrat e frustruar janë kthyer. Pasi Kiksi zbuloi grumbullimin e tyre në Discord, duket që sërish e kanë me neve. Pak pas orës 22:00 jam vërshuar me thirrje prej tyre; përmbajtjen e dini – e gërditshme”, tha gazetarja.
Më tej, ajo tha se “shqetësues është fakti që ai që e ka postuar po pyet: ‘A e ka ende kjo këtë numër?’”.
Mehmeti-Thaçi tha se nesër do t’i raportojë në polici dhe do të kërkojë “që më në fund të gjendet kush është ai që po e shpërndan numrin tim, pasi unë besoj që është i njëjti person”.
“Marre duhet t’ju vijë prej nënave tuaja, motrave dhe familjes. MUA s’më TUTNI, sepse nuk tutem prej ASKUJT”, tha gazetarja e Kiks Kosova, Ardiana Thaçi-Mehmeti.