Institucionet Mikrofinanciare, janë shndërruar në biznes të mirë në Kosovë.
Gjatë vitit që shkoi këto institucione kanë realizuar rreth 10 milionë euro fitime.
Por, kjo siç duket nuk po u mjafton atyre.
Ato në disa raste kanë manipuluar me normat e interesit në kredi.
Një nga to është edhe institucioni më i ri Mikrofinanciar në Kosovë, luteCredit.
Burime të ORAinfo bëjnë te ditur se në mesin e vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka zbuluar se luteCredit nuk ka bërë në bazë të ligjeve në Kosovë kalkulimin e normës së interesit për kreditë e lëshuar.
“luteCredit në disa raste ka dëmtuar kedimarrësit duke iu llogaritur normën e interesit më të lartë, duke mos i përdorë standardet e Kosovës për përllogaritjen e kredive”, ka thënë burimi.
I nëjti burim ka thënë se pas evidentimit të rastit nga ana e BQK-së, lutoCredit është obliguar që t’u kthej mjetët të gjithë kredimarrësve që janë dëmtuar.
“Pas masave të ndërmarra nga BQK-ja, luteCredit u ka kthyer mjetët qytetarëve të cilët janë dëmtuar me këtë rast dhe gjithashtu ka përmisuar mënyrën e llogaritjes së normës së interesit”, ka thënë burimi.
Gjobën ndaj këtij institucioni e kanë konfirmuar për ORAinfo edhe në Bankën Qendrore të Kosovës.
Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti ka thënë për ORAinfo se, gjatë inspektimit te luteCredit janë vërejtur shkelje të rregullativës në disa dimensione.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka disa mekanizma përmes të cilëve mbikëqyr dhe rregullon operatorët në sistemin financiar. Në këtë drejtim, gjatë vitit të kaluar kemi realizuar inspektime jashtë planit vjetor me qëllim të verifikimit nëse operatorët e rinj në tregun e Kosovës, të licencuar nga BQK-ja, janë duke e implementuar me saktësi kornizën ligjore dhe rregullative. Edhe ndaj operatorit në fjalë janë zhvilluar procedurat e inspektimit dhe sipas raportit të përgatitur nga mbikëqyrësit e BQK-së është vërejtur shkelje e rregullativës në disa dimensione. Si rrjedhojë, BQK-ja ka ndërmarrë masa administrative, konform kornizës ligjore që është në fuqi”, ka thënë Ahmeti.
luteCredit nuk mohon ndëshkimin nga BQK-ja
Ndërkohë, në luteCredit nuk kanë pohuar dhe as nuk kanë mohuar për shkeljet që janë konstatuar nga BQK-së që i ka bërë ky institucion Mikrofinanciar.
Në përgjigjet e luteCredit për ORAinfo, ata më shumë kanë sqaruar për veprimtarinë e tyre në Kosovë, duke mos u përgjigjur direkt në pyetjen rreth shkeljeve që janë zënë duke i bërë.
“…IuteCredit është institucion mikro financiar i licencuar nga BQK, e cila merret me veprimtari afariste, në përputhje me të gjitha ligjet dhe aktet nën-ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Kjo nënkupton se çdo raport kontraktual me klientët e saj, përfshirë edhe marketingun lidhur me produktet që i ofron, IuteCredit e bëne konform dispozitave të këtyre ligjeve dhe akteve nën-ligjore”, ka thënë Arber Shala, shef i zyrës komerciale në luteCredit.
Sipas tij, bazuar në këtë, IuteCredit e ka të publikuar në ueb faqen e saj çmimoren për secilin shërbim dhe produkt që u ofron klientëve dhe njëkohësisht të njëjtin informacion e zbulon te secili klient individual me rastin e aplikimit për kredi, në përputhje të plotë me Rregulloren për Normëm Efektive të Interesit dhe Kërkesat për Shpalosje.
“Të gjitha këto veprime të IuteCredit, sikurse edhe të institucioneve tjera mikrofinanciare, mbikëqyren nga ana e BQK-së, e cila në përputhje me mandatin e saj si Rregullator kujdeset që asnjë institucion i licencuar financiar të mos devijojë nga kërkesat që dalin nga ligjet dhe aktet nën-ligjore në fuqi.
Po ashtu, Ju informojmë se për dallim nga institucionet tjera mikrofinanciare, IuteCredit është e themeluar dhe funksionon si Shoqëri Aksionare dhe nuk ka të bëjë asgjë me OJQ. Kapitali i saj është tërësisht privat dhe i njëjti është publik, të cilin informacion mund ta gjeni në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë”, ka thënë tutje Shala.
Ndryshe, norma e interesit që lëshojnë Institucionet Mikrofinanciare është tejet e lartë.
Sipas raportit të fundit të BQK-së, norma mestare e interesit që lëshojnë Institucionet Mikrofinanciare është 21.7 për qind. /ORAinfo/