Ivica Daçiq flet për situatën në veri: Luftë nervash, kush ruan gjakftohtësinë fiton

19:51 | 25 September 2021

Daçiq: Situata në Kosovë – luftë nervash, kush ruan gjakftohtësinë fiton.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, situatën në veri të Kosovës e ka quajtur si një luftë nervash, duke shtuar se kush do ta mbajë gjaftohësinë do të fitojë.

Ai në një intervistë për Tv Pink ka deklaruar se në veri është duke u zhvilluar një betejë e madhe diplomatike, nëse veprimet e njëanshme do të vazhdojnë apo nuk do të lejohen ato, dhe ajo që është nënshkruar më herët do të respektohet, duke shtuar se i pret një periudhë intensive.

“Perëndimi do të donte të gjente një zgjidhje për problemin në Kosovë, por ata tashmë e kanë ideuar, dhe kjo është njohja e pavarësisë së një shteti të rremë. Ata do të donin që ajo të zgjidhej në një mënyrë të tillë, me dashamirësi ose me forcë,” tha Daçiq.

Ai deklaroi se shumë njerëz në Kosovë e ndezin një fitil sepse nëse situata është e qetë, rëndësia e rolit të tyre kur bëhet fjalë për përfaqësuesit ndërkombëtarë humbet.

“Ata kanë qenë në Kosovë prej vitesh, madje edhe në Bosnje Hercegovinë me motivin për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin rajonal. Çfarë do të bënin ata nëse vërtet do të kishte stabilitet rajonal, nëse nuk do të kishte incidente dhe të gjitha problemet do të zgjidheshin,” tha Daçiq.

Daçiq theksoi se kryeministri Albin Kurti me agresivitetin e tij është duke shkaktuar situatën në veri, i cili sipas tij po përpiqet të paraqesë Qeverinë e tij se është e para që ka legjitimitet, dhe se qeveritë e mëparshme ishin të pavlefshme.

“Ne menduam se Hashim Thaçi ishte i keq dhe se nuk kishte më keq, kështu që atëherë Ramush Haradinaj u shfaq dhe tani Kurti,” tha Daçiq, shkruan N1.

Komento: