
Dyshime për koronavirus, izolohet një familje në Studençan të Suharekës.
Një familje në fshatin Studençan të Suharekës është vetizoluar dhe janë në pritje të testimeve për COVID-19.
Në fshatin Studençan të Suharekës një familje është vetizoluar pasi që dyshohet se janë të prekur me COVID-19.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka thënë se në këtë fshat gjatë së enjtes pritet të merren mostrat për testim.
“Është e vërtetë që kemi pasur një kontakt me atë familje, por nuk i kemi informatat zyrtare. Është izoluar dhe presin me ardhë me i marrë mostrat edhe aty. Sot do të merren mostrat në Bllacë dhe sipas Institutit nesër në Studençan do të merren mostrat”, tregoi Muharremaj për lajmi.net.
Theksojmë se deri më tani në tërë Kosovën janë 184 persona të prekur me COVID-19, 30 të shëruar dhe pesë persona kanë vdekur nga koronavirusi.