Shumë fëmijë janë kthyer nga Siria në Kosovë.
Fëmijët kosovarë të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, do të fillojnë mësimin në muajin shtator, ka thënë zëvendësministri i Arsimit, Esat Sahiti.
“MASHT në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe komunat ofron edhe mësimin në qendrën korrektuese dhe burgjet e Kosovës, tashmë nga Ministria e Punëve të Brendshme i kemi edhe të dhënat për numrin e të kthyerve dhe ne do të hartojmë një plan detal dhe presim ose garantojmë, që në shtator të gjithë fëmijët e kthyer do të integrohen në sistemin arsimor”, tha zëvendësministri Sahiti.
Në një tryezë të organizuar nga Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, është diskutuar për integrimin e shtetasve kosovarë të kthyer nga zona e konfliktit të Sirisë.
Blerim Rama, i cili udhëheq Drejtorinë Kundër-terrorizmit në Policinë e Kosovës, tha se sfidat që po paraqiten tani, pas kthimit të tyre, janë sigurimi dhe përdorimi i provave të procedurës penale, për veprimet që shtetasit kosovarë kanë kryer në zonën e konfliktit në Siri.
Në prill të këtij viti, 110 qytetarë të Kosovës, duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen nga Siria në Kosovë.