Duket se ndalesat e zyrtarëve kosovarë në Serbi nuk po duken shqetësuese për Qeverinë, të paktën kështu ka thënë Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
Ai thotë se tashmë janë kalitur me këtë gjendje që po e shkakton shteti i Serbisë.
“Nuk besoj se ne do të shqetësohemi për veprimet e Serbisë, derisa ne jemi duke e bërë punën tonë dhe e kemi përkrahjen ndërkombëtare dhe duke i analizuar të gjitha veprimet tona si Qeveri, ne kemi treguar zemërgjerësi rreth problemeve me të cilat serbët ballafaqohen në Kosovë. Jemi të përkushtuar që t’i plotësojmë pa marrë parasysh a ke nevojë të qytetarëve të tjerë, të gjithë këto do të respektojnë ligjin, do të vlejë vetëm një ligj si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për qytetarët serb”, tha Mustafa.
Sipas tij, presioni dhe problemet të cilat po i shkakton Serbia janë bërë të zakonshme ngase kjo sipas Mustafës po u bëhet atyre të cilët po bashkëpunojnë më shtetin e Kosovës.
Mustafa tha se Serbia po i instrumentalizon qytetarët kosovarë për nevoja të veta politika dhe kjo sipas tij më së shumti i dëmton qytetarët serb se sa Qeverinë e Kosovës.
“Ne jemi të kalitur rreth problemit të cilit Serbia është duke i shkaktuar zyrtarëve, bashkëpunëtorëve ose qytetarëve serb të cilët bashkëpunojnë me pushtetin dhe shtetin e Kosovës. Ata duhet ta ndiejnë veten si kosovarë dhe shtetas të Kosovës. Ne nuk bëjmë dallime të tilla, por Serbia fillon me instumentalizuar qytetarët kosovarë për nevoja të veta politike të cilat i dëmton më shumë qytetarët serb sesa Qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitet në përgjithësi në të gjitha komunitetet si ato pakicë dhe ato shumicë në Kosovë”, tha Mustafa.
Ai në këtë intervistë ka folur edhe për mobilizimin rreth zgjedhjeve të cilat priten të mbahen në veri të Kosovës.
Mustafa tha se si MPB janë të organizuar në kapacitete të plota që rendi dhe ligji të zbatohet si në veri ashtu edhe në jug.
“Sa i përket riatdhesimit të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë marrë pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme, ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme do të merret edhe një kohë të gjatë për të aplikuar programet e saja për risocializim të këtyre personave.
“Ministria e Punës së Brendshme merret me akomodimin e tyre dhe sidoqoftë MPB-ja do të merret edhe një kohë të gjatë për të aplikuar programet e saja për risocializim të këtyre personave. Ministria e Drejtësisë do të merret me persona të cilët kanë fajësi dhe do të marrin dënimin e merituar sidoqoftë këta do t’i trajtojmë si qytetarë të Kosovës”, tha ai.
Mustafa ka treguar edhe për problemet shëndetësore me të cilat po ballafaqohen të kthyerit nga Siria e për të cilat thotë se nuk duhet shqetësuar për shkak se nuk bëhet fjalë për probleme të ndërlikuara shëndetësore.