Ja çfarë do të ndodh me Ligjin për Paga

19:43 | 07 July 2019

Duket se Ligji i pagave do të shqyrtohet edhe një herë.

Gjatë 2019-s, Kosova u bë për herë të parë me një ligj që rregullon pagat në sektorin publik.

Mirëpo, edhe pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, Ligji për pagat vazhdon të sjellë pakënaqësi.

Madje, përfaqësues të sindikatave të punëtorëve po planifikojnë që këtë ligj ta dërgojnë edhe në Gjykatë Kushtetuese.

Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, thotë që përfshirja e punëtorëve të këtij institucioni në Ligjin për pagat përbën shkelje kushtetuese.

E, nismës së Sindikatës së KEK-ut, i janë bashkangjitur edhe Sindikata e KOSTT-it dhe ajo e Telekomit.

Kështu, ata së bashku, kanë dërguar kërkesën për ndihmë tek Avokati i Popullit.

Ky i fundit tregon se gjithsej janë pesë organizata që kanë kërkuar ndihmë në mënyrë që ta dërgojnë Ligjin për pagat në Gjykatën Kushtetuese.

Hilmi Jashari thotë se ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me diskriminimin mes kategorive, që ka bërë ky ligj.

Në anën tjetër, Shqipe Pantina nga Partia Socialdemokrate nuk e përjashton mundësinë e gabimeve që mund të ketë në Ligjin për pagat.

Mirëpo, sipas saj, është e rëndësishme që së pari ligji të hyjë në fuqi, e pastaj të ndryshohen nenet e tij ose edhe të ndërhyjë vetë Kushtetuesja.

Ndërkaq, për mundësinë e përballjes në Gjykatë Kushtetuese, si hartues i Ligjit për pagat, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë që tashmë Ministria që ai drejton nuk ka mundësi të ndërhyrjes.

“Çdokush ka të drejtë që të kërkojë sqarim nga Gjykata Kushtetuese për ligje. Në këtë pikë, Ministria e Administratës Publike nuk ka të drejtë të ndërhyjë në ligj, vetëm me anë të rregulloreve mundohet që ta bëjë të mundur respektimin e Ligjit për pagat. Kjo pasi që ligji është miratuar në Kuvend dhe ndryshimet mund të bëhen me procedura qeveritare”, ka thënë Yagcilar.

Ligji i pagave, së bashku edhe me dy ligje mbështetëse, është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në shkurt të vitit 2019, pas shumë protestave e grevave nga kategoritë e ndryshme të sektorit publik.

Komento: