Ja çfarë i bën koronavirusi trupit të njeriut

16:09 | 14 March 2020

Çfarë i bën koronavirusi trupit të njeriut.

Për shumicën e njerëzve të infektuar, virusi Covid-19 shkakton simptoma të ngjashme me ato të gripit të zakonshmë. Koronavirusi futet në organizmin e njeriut kur dikush afër nesh kollitet, teshtit apo kur prekim një sipërfaqe të kontaminuar dhe më pas e prekim hungën, gojën apo sytë.

Së pari, virusi i infekton qelizat e fytit, rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë, duke i kthyer këto pjesë në “fabrika të virusit”, prej të cilave krijohen grupe të mëdha të viruseve të reja, të cilat më pas infektojnë më shumë qeliza.

Në këtë fazë, njerëzit mund të mos e vërejnë asnjë ndryshim në gjendjen e tyre dhe mund të mos shfaqin simptoma, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Periudha e inkubacionit, që e paraqet kohën mes infektimit dhe shfaqjes së simptomave të para, dallon në persona të ndryshëm, por mesatarisht është e gjatë pesë ditë, ndonëse mund të shkojë deri në dy javë.

Në fazën e mesme, personat e infektuar fillojnë të ndiejnë dhimbje në fyt, kokëdhimbje dhe dhimbje në trup. Pacientët përjetojnë rritje të temperaturës dhe kollitje.

Në fazën e mëvonshme, virusi shkakton inflamacion të mushkërive apo pneumoni. Disa njerëz kanë nevojë për ventilatorë që të marrin frymë, sepse vështirësohet ky proces. Në bazë të të dhënave nga Kina, në këtë fazë futen deri 14 për qind e personave të infektuar.

Në fazën kritike, infektimi mund të përfundojë me vdekje. Gjatë kësaj periudhe, sistemi imunitar del nga kontrolli, shtypja e gjakut bie shumë dhe disa organe nuk funksionojnë si duhet ose bllokohen plotësisht. Në këtë fazë përfshihen rreth 6 për qind e pacientëve.

Komento: